“Ushqimet tre muaj me çmime fikse”, Ibrahimaj: Po diskutojmë me importuesit, prodhuesit dhe marketet për marrëveshjen

Jo rritje të çmimeve për të paktën 3 muaj. Me këtë synim, puna ka filluar nga qeveria dhe negociatat po bëhen me importuesit, prodhuesit dhe supermarketet, në mënyrë që çmimet e shportës të mos ndryshojnë për të paktën një periudhë prej 90 ditësh.
“Jemi duke punuar me importuesit, prodhuesit dhe marketet për një listë produktesh që do të tregtohen për 3 muaj me çmime fikse dhe me një fitim minimal”, është shprehur ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.
Kjo, së bashku me nismën tjetër të qeverisë, atë të pasqyrës së çmimeve, do të bëjë të mundur që qytetarët të ndjekin çmimet e rreth 160 produkteve ushqimore dhe të higjienës. Platforma pritet të jetë në dispozicion në fillim të tetorit.
“Ne presim që në 10-ditëshin e parë të tetorit të kemi live çmimet e 160 produkteve ushqimore. Jemi duke akorduar me marketet kryesore listën finale të shportës, që do të ketë ushqime dhe produkte të higjienës që përdoren kryesisht nga familjet shqiptare”, tha Ibrahimaj.
Pjesën më të madhe të 160 produkteve kryesore, Shqipëria i importon, duke i blerë në euro. Monedha europiane po zhvlerësohet dita-ditës dhe kjo pritej të reflektohej edhe në treg, por një efekt i tillë nuk po vërehet.
“Kemi pasur një inflacion të kontrolluar, pak mbi targetin e Bankës së Shqipërisë, dhe në krahasim me vendet e tjera, për shkak të kursit të këmbimit, ka qenë më i kontrolluar”, tha ministrja.
Ekonomia shqiptare vijon të zgjerohet me ritme të qëndrueshme, sipas ministres Ibrahimaj. Të ardhurat po rriten dhe sektorët po zgjerohen gjithnjë e më shumë, ndërkohë që shqetësim mbetet rritja e çmimeve të ushqimeve për qytetarët.




