Milani kërkon përforcime në mbrojtje, rikthehet pista Kim për janarin

Milani po mendon për përforcimin e repartit të mbrojtjes dhe një emër i njohur për futbollin italian ka rikthyer vëmendjen e kuqezinjve. Bëhet fjalë për Kim Min-jae, qendërmbrojtësin e Bayern Munich dhe ish-futbollistin e Napolit.
Sipas raportimeve të fundit nga Italia dhe Gjermania, klubi kuqezi po monitoron situatën e mbrojtësit korean, i cili nuk po gëzon një vend të qendrueshëm në formacionin e Vincent Kompany.
Milani kishte shfaqur interes edhe gjatë merkatos së verës, por pa bërë një ofertë konkrete. Tashmë, pista mund të rikthehet në vëmendje në prag të merkatos së janarit.
Kim ka kontratë me Bayern Munich deri në qershor 2028, ndërsa sipas raportimeve të fundit vlera e tij në merkato llogaritet rreth 35-40 milionë euro.
Një tjetër pengesë për Milanin është paga e futbollistit, e cila raportohet rreth 7 milionë euro neto në sezon.
Nëse klubi bavarez vendos ta nxjerrë në merkato, Milani pritet ta ndjekë nga afër situatën. Për momentin, Kim është një pistë e besueshme për janarin, por jo një transferim i mbyllur apo në fazë të avancuar negociatash.




