E martë, 29 Shtator 2026 Lajme Ora 15:00 dhe Moti deri në 15:40 Në vijim ora 15:40: Fat i Hidhur Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

“Beogradi kërkon votat me fantazmën e Mlladiç”, Berisha në Strasburg: Apeli t’i shqyrtojë objektivisht çështjet e ish-drejtuesve të UÇK-së

Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike, ka mbajtur fjalim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku është ndalur te zhvillimet në Kosovë, dënimet e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë dhe situata politike në Serbi.

Berisha deklaroi se zgjedhjet e përsëritura në Kosovë janë zhvilluar në përputhje me parimet ndërkombëtare për zgjedhjet parlamentare, por theksoi nevojën për asistencën e Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias për gjetjen e një mekanizmi më të zbatueshëm për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

Reklamë

Duke folur për dënimet e ish-drejtuesve të UÇK-së, Berisha tha se protestat në Prishtinë pas vendimeve gjyqësore kanë ardhur si pasojë e shqetësimeve lidhur me provat dhe krahasimet me dënimet e ish-zyrtarëve ushtarakë serbë.

Fjalimi i plotë:

Zonja Kryetare,

Zgjedhjet e përsëritura në Kosovë, për sa i përket respektimit të parimeve ndërkombëtare për zgjedhjet parlamentare, pavarësisht motivit të tyre, janë zhvilluar në përputhje me këto parime.

Megjithatë, jam dakord me folësit e mëparshëm se shpeshtësia e tyre, për shkak të zgjedhjes së Presidentit, duhet të shmanget. Për këtë nevojitet asistenca e Këshillit të Europës dhe e Komisionit të Venecias për të gjetur një mënyrë më të zbatueshme për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Zonja Kryetare,

Gjatë këtyre ditëve të fundit, pas dënimeve të papritura të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga gjykata e Kosovës në Hagë, dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar çdo ditë në Prishtinë. Askush nuk ngrihet kundër ndëshkimit të krimeve, por disa krahasime dhe mungesa e provave të qarta për krime konkrete kanë shkaktuar zemërim publik.

Për shembull, Tribunali i OKB-së në Hagë dënoi komandantin e Korpusit të Prishtinës, z. Vladimir LAZAREVIÇ, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, z. Dragoljub OJDANIÇ, me nga 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë Operacionit “Patkoi” në Prishtinë.

Në të kundërt, drejtuesit politikë të Kosovës u dënuan me një total prej 84 vitesh burg, bazuar në një zinxhir komandimi që ata nuk e kanë pasur kurrë në mënyrë të strukturuar.

Së fundmi, dënimet e dhëna nga gjykata e Kosovës në Hagë kanë ndjekur, në mënyrë befasuese, linja të qarta etnike. Në kundërshtim me statutin e saj, gjykata ka ndjekur penalisht vetëm palën e viktimës dhe jo agresorin. Prandaj, le të shpresojmë që Gjykata e Apelit t’i shqyrtojë çështjet e tyre në mënyrë më objektive.

Varrimi me nderime shtetërore i kasapit të Bosnjës, orkestruesit të gjenocidit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore në Srebrenicë, ishte një ekzekutim i dytë, 31 vjet më vonë, i 8500 djemve dhe burrave, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre fetare dhe etnike.

Kjo është një fyerje e rëndë për të gjithë njerëzimin, një qëndrim i Beogradit dhe i z. Aleksandar VUÇIÇ, i cili kërkon të fitojë zgjedhjet me fantazmën e z. Ratko MLLADIÇ.

Besoj se ky institucion duhet të ndërmarrë veprime të qarta kundër këtyre rreziqeve.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.