Brazili fiton me poker ndaj Australisë, por humbet Raphinha-n
Brazili ka marrë një fitore spektakolare 4-2 ndaj Australisë në një ndeshje miqësore të zhvilluar në “Suncorp Stadium”, në një takim me shumë gola, përmbysje dhe një moment shqetësues për Raphinhën.
“Seleção” e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e 3-të. Ishte Vanderson ai që dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Australia reagoi shpejt dhe përmbysi rezultatin brenda pjesës së parë. Alessandro Circati barazoi në minutën e 28-të, ndërsa Connor Metcalfe shënoi pesë minuta më vonë, duke i dhënë vendasve avantazhin 2-1.
Në fundin e pjesës së parë, Brazili gjeti barazimin. Raphinha u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën e 45-të+1, duke rikthyer shifrat në 2-2.
Megjithatë, ylli brazilian nuk mundi të vazhdonte në pjesën e dytë. Raphinha u zëvendësua në pushim për shkak të shqetësimeve muskulore në kofshën e djathtë, duke ngritur pikëpyetje për gjendjen e tij fizike.
Në fraksionin e dytë, Brazili rriti presionin dhe në minutën e 69-të riktheu avantazhin. Bruno realizoi për 3-2 pas një asistimi nga Endrick, i cili ishte aktivizuar si zëvendësues.
Australia u përpoq të reagonte, por në minutën e 80-të Brazili vulosi fitoren. Vinicius Junior ekzekutoi saktë një tjetër penallti, duke shënuar golin e katërt dhe duke vendosur rezultatin përfundimtar në 4-2.
Një fitore me përmbysje për Brazilin, por vëmendja pas ndeshjes pritet të përqendrohet edhe te gjendja e Raphinhës, i cili u detyrua të largohej nga fusha për shkak të shqetësimit në kofshë.

