Iu ndryshua masa e sigurisë, reagon Jozefin Marku: Ka një diell që më shoqëron kudo, më kujton të mos ndalem së…

29/09/2026 15:28

Gjykata e Apelit ka dhënë vendimin për këngëtarin, Jozefin Marku, të cilit i është ndryshuar masa e sigurisë. Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, ai është lënë në detyrim paraqitje.

Lidhur me këtë duket se ka reaguar vetë Jozi përmes një postimi në rrjetet e tij sociale. Ai ka publikuar në “Instastory” një foto të tij dhe krahas shkruan se ‘dielli e shoqëron kudo’ dhe ‘i ndriçon rrugën edhe atëherë kur përreth bëhet errësirë’.

“Ka një diell që m’shoqnon kudo… Ma ndriçon rrugën edhe atëherë kur përreth bëhet errësirë.

Nuk më tregon vetëm ku të shkoj, por më kujton çdo ditë të mos ndalem së ndriçuar edhe vetë. Ju Dua”, shkruan ai krahas fotos në “Instastory”.

Ndërkohë postimin në fjalë e ka shoqëruar me një këngë të tij që mban titullin ‘Ylli i mbrëmjes’.

Kujtojmë se, këngëtari u arrestua në fillim të shtatorit, pas publikimit të pamjeve filmike ku ai dhe disa persona të tjerë shfaqeshin duke dhunuar Eduard Kuçin.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pranë mbikalimit të Rinasit, ndërsa në pamjet e publikuara Kuçi shihet teksa ndalohet në rrugë dhe nxirret nga automjeti i tij. Sipas hetimeve, për ndalimin e tij është përdorur edhe një tabelë e Policisë së Shtetit.

Top Channel