Blushi: Mbështesim 7 kërkesat e blegtorëve, buxheti i Ramës për bujqësinë sa 5 km rrugë të florinjta...

Blushi: Mbështesim 7 kërkesat e blegtorëve, buxheti i Ramës për bujqësinë sa 5 km rrugë të florinjta...

14:06, 29/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi ka reaguar me një deklaratë për, mediat për buxhetin e qeverisë së Rilindjes për bujqësinë.

Sipas tij, ‘buxheti i Ramës për bujqësinë sa 5 km rrugë të florinjta’.

Para ka por natyra kriminale e ekonomisë dhe kapja për fyti e shtetit nga krimi nuk lejon që fokusi dhe prioriteti absolut të jetë interesi publik.

Deklarata e plotë:

Partia e Lirisë mbështet plotësisht kërkesat e drejta të blegtorëve shqiptarë, të cilët vit pas viti përballen me një situatë gjithnjë e më dramatike.

Blegtoria shqiptare përballet sot, si në asnjë vend tjetër të rajonit, me nënfinancim kronik të qëllimshëm, me kosto të larta prodhimi, çmime të larta të naftës, subvencione mizerabël dhe totalisht të pamjaftueshme, por edhe me një konkurrencë të pandershme nga importet.

Një sektor jetik dhe strategjik për ekonominë, punësimin, ushqimin dhe jetën e qindra mijëra familjeve shqiptare po dobësohet qëllimisht në funksion të axhendës antikombëtare të shpopullimit.

Kjo ndodh për dy arsye.

Së pari për shkak të profilit kriminal të ekonomisë të mbështetur te narkoeuro dhe pastrimi i parave të pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit, kryesisht në sektorin e ndërtimit.

Së dyti, për shkak se krimi ka kapur të gjithë shtetin.

Ndaj fokusi nuk është te interesi publik, e në veçanti, as te fermerët e blegtorët shqiptarë.

Kësaj situate i shtohet edhe skandali i abuzimeve me fondet IPARD, që ka rënduar drejtpërdrejt mbi fermerët.

Për të tretin vit radhazi, më shumë se 300 milionë euro fonde europiane mbeten të paarritshme për fermerët, për shkak se ndihma e dedikuar për zhvillimin dhe modernizimin e bujqësisë, përfundoi te inceneratorët dhe bandat e lidhura me Qeverinë.

Financimi vijon të mos zhbllokohet se sikur të mos mjaftonte vjedhja, Qeveria ka bllokuar prej tre vitesh edhe hetimet.

Në Greqinë fqinje, hetimet efektive për abuzimet me fondet europiane të bujqësisë çuan në heqjen e imunitetit të 13 deputetëve të partisë në pushtet dhe arrestimin e mbi 37 zyrtarëve, ndërkohë që fermerët shqiptarë vijojnë të vuajnë pasojat e drejtpërdrejta të dështimit të administrimit dhe hetimit të mënyrës se si u përdorën këto fondeve.

Në këtë situate dramatike, Partia e Lirisë mbështet shtatë kërkesat konkrete të blegtorëve:

Heqjen e akcizës dhe taksave mbi naftën për blegtorët dhe uljen e kostove të karburantit.

Rishikimin dhe rritjen e subvencioneve për sektorin e blegtorisë.

Rialokimin e fondeve të parealizuara nga skema e kompensimit 10% të TVSH-së në subvencione direkte për blegtorët.

Krijimin e një laboratori shtetëror për analizat e qumështit.

Vendosjen e tarifave për qumështin pluhur, vajin e palmës dhe hirrën, për të mbrojtur prodhimin vendas.

Etiketimin e qartë të produkteve, duke përcaktuar origjinën e qumështit të përdorur në prodhim.

Forcimin e kontrolleve në kufi për qumështin e importuar, për aflatoksinën, proteinën, yndyrën dhe ngarkesën mikrobiologjike.

Këto 7 kërkesa minimaliste, janë plotësisht të realizueshme, nuk janë luks por lidhen drejtpërdrejt me mbijetesën e një sektori strategjik dhe jetik për ekonominë e vendit.

Sepse është mohimi i mbështetjes për fermat tona blegtorale, mungesa e mbështetjes financiare nga Qeveria për fermat dhe bagëtitë tona, që ka detyruar sektorin blegtoral vendas të mos mbulojë dot as kostot e prodhimit.

Prandaj edhe numri i krerëve brenda një 10-vjeçari është thuajse përgjysmuar dhe vazhdon uljen e pandalshme.

Fermerët dhe blegtorët duhet të dinë se shfarosja e programuar e bagëtive të vendit është nxitje për shpopullimin e vendit.

Kjo ndodh për shkak se zëri për mbështetjen e bujqësinë në buxhetin e shtetit është baraz me koston e vetëm 5 kilometra rrugë të florinjta që shtron Edi Rama.

Ndërkohë Maqedonia e Veriut, një vend më i vogël se ne dhe me potencial zhvillimi më të vogël se Shqipëria e mbështet blegtorinë rreth 8.5 herë më shumë.

Partia e Lirisë e ka vendosur bujqësinë 1 nga 5 prioritet e saj kombëtare për 4 milionë shqiptarë plus.

Sepse vetëm duke mbështetur seriozisht këtë sektor jetik hidhet një hap vendimtar për ndalimin e shpopullimit.

Përmes masave konkrete dhe realiste, jemi të bindur që Shqipëria i ka të gjitha potencialet të shndërrohet në fuqi eksportuese në këtë drejtim.

Programi i Partisë së Lirisë parashikon rritjen e prodhimit bujqësor e blegtoral përmes dyfishimit të pagesave direkte.

Ne do të mbështesim bujqësinë me mbi 30 miliardë lekë çdo vit dhe me indeksim progresiv në vitet në vazhdim.

Pagesë grant të menjëhershme prej 10 mijë euro për çdo biznes të ri bujqësor familjar të krijuar dhe përjashtim të tij nga taksat e tatimet për 5 vite.

Do të 5-fishohet mbështetja me pagesë direkte për çdo kokë dele apo dhi, nga 12 Euro që është sot, në 60 Euro nesër.

Do të ulet pragu i përfituesve në 30 dele apo dhi, nga 100 që është aktualisht.

TVSH 0% për ushqimin e të imtave.

Pagesë direkte për çdo dele apo dhi të lindur, me 5 Euro.

Pagesë direkte për çdo dele apo dhi të therur për mish në masën 5 euro.

Pagesë direkte për çdo litër qumësht në masën 10 Lekë/liter.

Në këtë mënyrë ne rritim mirëqenien e blegtorëve shqiptarë.

Synimi ynë është që ta kthejmë Shqipërinë nga një vend që importon ushqimin e vet, në një fuqi prodhuese dhe eksportuese.

Vetëm si pasojë e mos arritjes së mbledhjes së të ardhurave buxhetore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, Shqipëria nuk arkëton në vit 4 miliard euro, që vidhen nëpërmjet korrupsionit në tatime e dogana dhe evazionit fiskal klientelist.

Para ka por natyra kriminale e ekonomisë dhe kapja për fyti e shtetit nga krimi nuk lejon që fokusi dhe prioriteti absolut të jetë interesi publik.

Vetëm një politikë e re ekonomike, që vendos fermerin dhe prodhimin vendas në qendër, mund t’i japë frymëmarrje bujqësisë dhe blegtorisë shqiptare. Dhe kjo kërkon largimin e menjëhershëm të Edi Ramës dhe shporrjen e një Qeverie hajdute që e ka lënë bujqësinë, blegtorinë dhe prodhuesin shqiptar pa mbështetje.

Vetem largimi i Edi Ramës i jep frymemarrje bujqësisë dhe fermerit shqiptar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco