Napoli bën një tjetër hap të rëndësishëm në garën për të pritur ndeshje të Kampionatit Europian 2032. Bashkia e qytetit ka miratuar një fond prej 50 milionë eurosh për rikualifikimin dhe modernizimin e stadiumit “Diego Armando Maradona”.
Vendimi është marrë nga Këshilli Bashkiak, me nismën e kryebashkiakut Gaetano Manfredi, ndërsa fondet do të vijnë nga buxheti i Bashkisë së Napolit. Kjo shumë i bashkohet 150 milionë eurove të akorduara nga Rajoni i Campanias përmes Cipess, duke e çuar financimin e ndërhyrjes në rreth 200 milionë euro.
Projekti synon ta transformojë “Maradonën” në një impiant më modern dhe të përshtatshëm me standardet e UEFA-s. Sipas projektit të prezantuar në gusht, kapaciteti i stadiumit pritet të rritet nga rreth 54.700 në 63.300 vende, ndërsa parashikohet heqja e pistës së atletikës, rikonstruksioni i tribunave dhe krijimi i hapësirave të reja VIP.
Një tjetër element i rëndësishëm është që stadiumi synohet të bëhet më i qëndrueshëm nga pikëpamja energjetike dhe ujore, ndërsa projekti parashikon edhe ndërhyrje në zonat përreth, transportin dhe aksesueshmërinë.
Sipas planit të Bashkisë, stadiumi i rikonstruktuar mund të jetë gati në vitin 2030, duke lënë kohë të mjaftueshme përpara Euro 2032. Punimet, sipas informacioneve të publikuara, janë konceptuar në mënyrë që stadiumi të vazhdojë të përdoret edhe gjatë ndërhyrjeve.
Megjithatë, Napoli ende duhet të përfundojë procesin institucional për të siguruar përfundimisht përfshirjen mes qyteteve italiane që do të presin ndeshjet e Euro 2032. Vendimi përfundimtar do të vijë pas procedurave të FIGC dhe UEFA-s.
Me këtë investim, “Maradona” bëhet një nga projektet kryesore infrastrukturore të Napolit në funksion të kandidaturës për turneun europian, ndërsa qyteti synon të rikthehet në skenën e madhe të futbollit ndërkombëtar.
Lini një Përgjigje