Investimi në Zvërnec/ Balla: 4 miliardë euro, duhet të bëhet! T’i thuash jo është e pamundur

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur për investimin e planifikuar në Zvërnec, duke deklaruar se projekti duhet të vijojë për shkak të vlerës dhe rëndësisë që, sipas tij, ka për ekonominë dhe turizmin.
Balla tha se europarlamentarëve u janë dhënë sqarime lidhur me projektin, ndërsa theksoi se qeveria do të garantojë respektimin e standardeve mjedisore në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian.
“Kemi patur një diskutim për këtë çështje. I kemi sqaruar si duhet për disa garanci. E para që investime të tilla janë strategjike që duhen të mbrohen. Investimi në Zvërnec jo vetëm për nga vlera 4 mld euro, por nga rëndësia për turizmin, t’i thuash jo një investimi 4 mld është e pamundur, dëm i madh për ekonominë. Do duhet të bëhet. Faza e parë lidhet me blerjen e terrenit. Qeveria do garantojë respektimin e vlerave mjedisore në lidhje me Kapitullin 27 të anëtarësimit në BE. Duam të mbyllim procesin e negociatave brenda Krishtlindjes në 2027”, u shpreh Balla.
Në vijim, kreu i grupit parlamentar të PS-së u ndal edhe te zhvillimet në drejtësi dhe hetimet e SPAK. Balla i cilësoi këto zhvillime si pjesë të reformës në drejtësi dhe apeloi që institucionet të vijojnë punën në mënyrë të pavarur.
“I qëndrojmë angazhimeve tona. Çështja tjetër lidhet me ecurinë e reformës në drejtësi. Të gjitha këto ngjarje duhen parë si kulmime pozitive të reformës. Korrupsioni ekziston kudo, edhe në Gjermani, Itali. E rëndësishme që kemi institucione që hetojnë dhe i shkojnë deri në fund. Apeli im që SPAK dhe drejtësia të veprojnë të pandikuara”, deklaroi Balla.


