Kushtetuesja rrëzon kërkesën e PD, shpall të ligjshëm emërimin e Avokatit të Popullit

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën që Partia Demokratike kishte dorëzuar për zgjedhjen e Endi Shabanit si Avokat i Popullit.
Sipas opozitës, zgjedhja e Shabanit me 85 vota pro me 11 dhjetor ka qenë antikushtetuese.
“Për sa i përket pretendimit për veprimtarinë politike të ushtruar nga kandidati për Avokat të Popullit, Gjykata konstatoi se, në parim, veprimtaria politike, parashikohet nga Kushtetuta si shkak papajtueshmërie, që ndikon në ushtrimin e funksionit. Në rastin konkret, referuar momentit të betimit të Avokatit të Popullit në Kuvend, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit është i pabazuar.
Gjykata gjeti të pabazuar edhe pretendimin tjetër të kërkuesit për verifikimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, për shkak të mungesës së mbështetjes së deputetëve në momentin e votimit të tij në seancë plenare.
Gjykata vëren, fillimisht, se kërkesa për mbështetjen (propozimin) e kandidatëve nga 28 deputetë nuk është një rregull i përcaktuar nga normat kushtetuese, por i parashikuar në Ligjin Organik të Avokatit të Popullit dhe në Rregulloren e Kuvendit. Qëllimi i rregullit procedural për mbështetjen e kandidatëve nga deputetët është të sigurojë efektivitetin e procedurës parlamentare, në funksion të rezultatit të saj dhe nuk është i lidhur me ushtrimin e funksionit ligjvënës nga Kuvendi. Në rastin në shqyrtim, ky kusht ishte plotësuar në momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Në këtë mënyrë, procesi kishte sjellë pasoja konkrete, ndaj tërheqja e mbështetjes pas kalimit të kësaj faze nuk mund të sjellë më pasoja në procedurën vijuese parlamentare.
Në përfundim Gjykata njëzëri vendosi rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
Përplasja nisi kur PD tërhoqi firmat për të gjithë kandidatët, përfshirë Endri Shabanin dhe thanë se ai nuk gëzon më mbështetjen e tyre, por pavarësisht kësaj, socialistët e kaluan në seancë plenare duke votuar me shumicë votash Endri Shabanin si Avokat të Popullit.




