Rryma dhe lirika në letërsinë shqipe: Rasti i Mjedjes, Migjenit dhe Palit

29 Shtator 2026, 15:52Kulturë TEMA
Rryma dhe lirika në letërsinë shqipe: Rasti i Mjedjes, Migjenit

Nga Eduart Bardhi
 
Abstrakt

Ky studim shqyrton sintetikisht zhvillimet e rrymave letrare në letërsinë shqipe të gjysmës së parë të shekullit XX, me fokus të veçantë te poezia lirike. Analiza trajton Ndre Mjedjën, Migjenin dhe Gaspër Palin si përfaqësues të qasjeve të ndryshme estetike, duke evidentuar ndërthurjen e tipareve romantike, klasike, realiste, simboliste dhe avangardiste në krijimtarinë e tyre. Mjedja shfaq një heterogjenitet stilistik dhe tematik, duke integruar elemente të traditës, neoklasicizmit dhe lirizmit filozofik, ndërsa Migjeni shënon një kthesë radikale drejt modernizmit dhe ekspresionizmit, duke çrrënjosur ndikimet e romantizmit dhe traditës rilindase dhe duke vendosur fokusin te lirizmi shoqëror dhe humanist. Gaspër Pali, në anën tjetër, demonstron përqafimin e avangardës dhe simbolizmit europian përmes vargut të lirë dhe figuracionit inovativ. Analiza thekson se periudha 1900–1944 karakterizohet nga divergjenca dhe konvergjenca e rrymave letrare, duke sfiduar periodizimin e qartë dhe klasifikimin e autorëve. Sintetizimi i këtyre prirjeve tregon se letërsia shqipe e kohës nuk mund të kuptohet pa marrë parasysh ndërthurjen e ndikimeve europiane dhe traditën lokale, si dhe evoluimin individual të poetëve brenda një hapësire estetike dinamike. Ky studim kontribuon në interpretimin e kompleksitetit historik dhe estetik të lirikes shqipe, duke evidentuar rëndësinë e autorëve të analizuar në formësimin e poezisë moderne shqiptare.

Fjalë kyçe: lirika shqipe, Ndre Mjedja, Migjeni, Gaspër Pali, modernizmi, avangarda.

Referencat:

Draçini, Q. (1944). Vepra poetike e Migjenit. Fryma, nr. 3, mars, Shkodër.

Hamiti, S. (2002). Vepra letrare 7: Letërsia filobiblike. Letërsia romantike. Prishtinë: Faik Konica.

Jorgaqi, N. (2000). Parathënie në Bisedë me vetvedin [G. Pali; mbledhur dhe redaktuar nga F. Ndocaj]. Tiranë: Onufri.

Koliqi, E. (1931). "Leka." Nr. 2, Shkodër, shkurt; Koliqi, E. (1962). "Shejzat." Nr. 1–2, Romë.

Koliqi, E. (1999). Hymje në lirikën shqiptare: Kritikë dhe estetikë (Përgatitur nga S. Çapaliku). Apollonia.

Krasniqi, G. (2003). Poezi – sprovë antologjike. Tiranë.

Mjedja, N. (1988). Vepra poetike 2. Tiranë: Naim Frashëri.

Quku, M. (2004). Mjeda 1. Tiranë: Botimet Ilar.

Shala, K. M. (2011). Format in/tekstore në Prolepsa. Prishtinë: AIKD-99.

Zeqo, M. (2011). "Migjeni, më konceptuali i letrave shqipe." Vegime Letrare, nr. 7, Durrës.

 

***

Mjedja poet: Sintetizimi i rrymave letrare në letërsinë shqipe

Termi rrymë i referohet bashkimit të prirjeve tematike dhe formale që karakterizojnë një grup shkrimtarësh bashkëkohës, duke përfshirë ngjashmëritë dhe dallimet që shfaqen midis tyre. Periudhat letrare evidentohen prej tipareve të përbashkëta në krijimtarinë e shkrimtarëve përfaqësues. Çdo periudhë, në aspektin e poetikave, përfaqësohet me modele dhe teknika poetike të përbashkëta.

Lirika si gjini e mirëfilltë letrare i ka hapur dyert letërsisë autoriale shqipe. Autorët e saj të parë lëvruan poezinë lirike e cila vinte nga një traditë gojore shekullore dhe shërbeu si gur themeli në letërsinë shqipe. Kjo gjini ka shënuar kalimin në letërsinë e kultivuar e gjithashtu ka qenë zotëruese në gjithë periudhat e letërsisë shqipe. Lirika, si forma letrare më e lëvruar luan rol kyç në formësimin e sistemit letrar shqiptar që realizohet gjatë këtij segment kohor. Por duhet theksuar se lirika e periudhës në fjalë paraqet një tablo komplekse, me modulime të çrregullta: prirjet moderne të poezisë europiane ndërthuren me modelet kombëtare, përplasen, krijojnë degëzime dhe si e tillë ajo lë shteg për interpretime e përqasje të shumta. Heterogjeniteti që shfaq letërsia shqipe përgjatë këtij segmenti kohor, heterogjenitet i shfaqur më së shumti në lirikë, është ndoshta një ndër arsyet kryesore të vështirësisë së së realizimit të punimeve përgjithësuese për këtë periudhë. A mund ta themi këtë për zhvillimet që njohu lirika shqipe të gjysmës së parë të shek XX? Në studimin Hymje në lirikën shqiptare,[1] Ernest Koliqi përcakton tri rryma letrare në periudhën në mes të viteve 1928-1944: Tradicionalja (Fishta, Çajupi, Skiroi, Prenushi etj.), Modernizmi i moderuem (Ndre Mjeda, Llazer Shantoja, Bernard Palaj, Lasgush Poradeci, Nexhat Hakiu, Vedat Kokona etj.) dhe Ekstremizmi revolucionar (Migjeni etj.). Duke u nisur nga këto koncepte të përdorura nga Koliqi shohim tendencën e këtij të fundit për t‟iu shmangur nocioneve shenjuese tradicionale si, klasicist, romantik etj., dhe përfshirjen e tyre në një nocion të ri që e quan Tradicionalja. Por edhe pse poezia lirike shqipe e gjysmës së parë të shek. XX - dhe letërsia në përgjithësi - nuk arriti të krijonte në mënyrë të mirëfilltë asnjë shkollë apo drejtim letrar, poetët, më së shumti në mënyrë krejt individuale, dëshmuan ndikime e tipare të rrymave e shkollave të ndryshme letrare europiane.

Mjedja jetoi dhe krijoi deri në vitin 1937, çka e vendos atë edhe në gjysmën e parë të shekullit XX. Periudha 1900–1944 nuk ka domosdoshmërisht nevojë të kufizohet brenda një rryme të caktuar letrare. Dihet se brenda këtij harku të ngushtë kohor gjenden krijime të larmishme, të cilat herë pas here shfaqin tipare që ndërthuren me rryma të ndryshme letrare, të afirmuara më herët në letërsitë europiane. Kjo ndodh sepse edhe brenda vetë periudhave nuk ekzistojnë konvergjenca të plota stilistike, tematologjike apo zhanrore, gjë që e bën të pamundur ruajtjen e një pastërtie të mirëfilltë të periodizimit letrar. Në këtë kontekst periodizues letrar, çështja vështirësohet kur periudha lidhet me karakteristikat e veprave të autorëve, hullimin e tyre në ndonjë rrymë, drejtim apo “shkollë letrare” që ata përfaqësuan. Periodizimi historik dhe rryma letrare janë dy gjëra të ndryshme të cilat, sidomos në letërsinë e pavarësisë nuk përputhen. Të përcaktosh prerazi përkatësinë e Mjedjes ndaj një rryme të caktuar letrare do të ishte një pikënisje e gabuar. Në gjithë studimet e kritikat kushtuar veprës letrare të Ndre Mjedjës theksohet vështirësia e pozicionimit të këtij autori në historinë e letrërsisë shqipe. Shumëllojshmëria stilistike dhe tematike e letërsisë së kësaj periudhe e vështirëson çdo klasifikim të qartë. Ndryshimi i shpejtë, dinamika dhe trazirat kulturore janë të dukshme, por ende mungojnë drejtimet e mirëpërcaktuara të autorëve, sidomos në fazën e hershme të zhvillimit të kësaj letërsie. Kjo periudhë, që njëkohësisht është ndër më të frytshmet në historinë letrare shqiptare, e ndërlikon edhe më tej përcaktimin e kritereve të qarta për sistemimin e saj.

Vërehet se një pjesë e konsiderueshme e autorëve të kësaj periudhe ruajnë një lidhje të qëndrueshme me traditën letrare romantike. Fishta, për shembull, manifeston tipare të spikatura të romantizmit në korpusin e tij lirik. Po ashtu, Mjedja, si nën ndikimin e romantizmit kombëtar, ashtu edhe përmes ushqimit të vazhdueshëm nga burimet folklorike shfaq një prirje të dukshme romantike, e cila del në pah veçanërisht në përmbledhjen Juvenilja. Studiuesi Sabri Hamiti e lokalizon Mjedjen si poet tek periudha romantike, pas De Radës, Zef Serembes, Kostandin Kristoforidhit, Pashko Vasës, Naim e Sami Frashërit.[2] Fakti që Mjedja që në fillim e nis mendimin e tij me fjalinë: disa thonë se poezia asht të shprehunit e ndjesive të zemrës e të përfytytrimit (fantazisë),[3] mund të kuptohet se i referohet qëndrimit që kishin romantikët ndaj poezisë që  kërkonshprehje dhe stil.

Nga ana tjetër, rezulton se, përveç prirjeve të tij romantike, Mjedja manifeston edhe një përpjekje të qartë për përsosmëri klasike në vargëzim. Elementet neoklasike shfaqen dukshëm në poemat e tij me tematikë historike; realizmin dhe madje edhe tonet rebeluese i gjejmë në krijime të tjera; dimensionin filozofik e mishëron në Andrra e jetës; ndërsa përmasën mistike e shfaq në lirikat me karakter fetar. Në këtë mënyrë, përmes fjalës së tij poetike, Mjedja paraqitet si një autor që ndërthur në veprën e vet karakteristika të rrymave të ndryshme letrare, duke i integruar ato në një sintesë të veçantë estetike. Mjedja punoi dhe ripunoi vazhdimisht tekstet e tij letrare gjatë gjithë jetës, çka bën që rileximi i veprës së tij si proces rindërtimi kuptimor të mos e kufizojë atë brenda koordinatave të një periudhe të vetme apo brenda përcaktimeve të ngushta si autor thjesht romantik apo klasicist. Përkundrazi, përmes kësaj pune të vazhdueshme, Mjedja formëson një mënyrë të re te shprehjejes poetike. Në këtë këndvështrim, krijimtaria e tij shfaq një shtrirje më të gjerë estetike. Nëpërmjet krijimeve të tij letrare, Mjedja shfaqet herë si poet me prirje klasike, herë si romantik, e po aq edhe me nota realiste, filozofike apo mistike. Edhe vetë periudha në të cilën ai krijoi karakterizohet nga ndërthurja e tipareve që i përkasin rrymave të ndryshme letrare. Mjedja sjell për herë të parë në letërsinë shqipe elemente të reja si dinamika e veprës, ndërthurja e rrymave të ndryshme, një mënyrë e re e të shkruarit, eksplorimi i gjinive letrare , si dhe zhvillimi i një stili të veçantë. Gjatë periudhës 1945–1990, ai shihej edhe si poet atdhetar ose social dhe nuk analizohej në dimensionin e tij të plotë krijues, madje edhe për shkak të lidhjes së tij me sistemin arsimor jezuit, një sistem relativisht modern për kohën, i orientuar politikisht. Megjithatë, ky sistem edukues, ku Mjedja u formua, ndikoi thellësisht në zhvillimin e tij artistik. Doktrina pedagogjike jezuite, e bazuar në ndërtimin e mendjes, zemrës dhe vlerave përmes edukimit si proces, kontribuoi në formësimin e dimensionit etik që karakterizon Mjedjen poet. Mjedja, ndoshta i vetmi poet mirfilli lirik, me lirikat sociale e patriotike dëshmon vlera që i qëndrojnë kohës. Edhe pse vetëm me një përmbledhje lirike, Juvenilja, ai dëshmon se është mjeshtër dhe zot i lirikës shqipe,“babai i lirizmit dhe i lirikës shqiptare” [4]. Ai i këndoi lirisë si liri kombëtare, shoqërore e shpirtërore. Vepra e tij dëshmon ndjeshmëri të lartë, formë të përsosur artistike, ndërthurje të thelbit të tij romantik me nuanca të frymës realiste, tipare që e bëjnë veprën e tij model për poetët e rinj.

Me krijimet e fazës së parë Mjedja shfaqet si përfaqësues tipik i lirikës romatike. Pavarësisht se veprat e tij nuk janë botuar në kohën e shkrimit të tyre, por vite më vonë, ato i përkasin, në aspektin kohor të krijimit, periudhës së romantizmit dhe, si të tilla, parë brenda kuadrit të letërsisë romantike, disa prej krijimeve (në disa krijime të “Juveniljas” si dhe më të dukshme te “Ëndrra e jetës”) bëhen të dallueshme nga kjo letërsi (letërsia romantike) përsa i përket karakterit thellësisht lirik, të një lirizmi të veçantë. Fazës së dytë të krijimtarisë së Mjedës (pas 1914-ës) i përkasin poemat klasiçiste me tingëllima (sonete) “Lissus” dhe “Scodra”. Në këto përmbledhje autori trajton emat e lashtësisë, por nëpërmjet nëntekstit dhe ideve nxitëse poeti i vë në shërbim të kohës së tij. Notat romantike e elegjiake të spikatura në botimin e “Juvenilias” zëvendësohen më një lirizëm klasik në poemat “Lissus” botuar në maj 1921, ku pasqyrohet humanizmi dhe bota e pasur shpirtërore, emocionet, natyra lirike, ndjeshmëria e lartë artistike dhe aftësia përpunuese e fjalës. Në këto poema dëshmohet kujdesi i poetit në teknikën e ndërtimit të vargjeve duke përsosur më tej strukturën poetike dhe ligjërimin poetik. Në aspektin e formës Mjedja i afrohet poetikës simboliste me lëvrimin e tingëllimës, por edhe në figuracionin e përdorur. Veçori e poetikës së Mjedjës është kujdesi maksimal ndaj formës. Kjo arrihet nëpërmjet përpunimit skrupuloz të fjalës e vargut. Vargjet e tij vijnë me një strukturë më të përsosur figurative e ritmike. Janë këto disa tipare që e lidhin poetikën e Mjedjës me drejtimin simbolist dhe parnasist. Si të tillë, poet parnesian[5] e quan Ernest Koliqi.

Autori që kishte tentuar me “Andrrën e jetës” t‟i afrohej një qëndrimi realist, nëse mund të qëndrojë ky përcaktim, tashmë terrastiset larg e më larg në tema e motive mitologjike. Jo vetëm që nuk shkruan sipas frymës së kohës por i largohet edhe modeleve romantike të rilindjes duke shkuar në modele krejt të largëta siç janë ato klasike.  Mjeda nuk mundi të shkëputej nga fryma e letërsisë romantike të Rilindjes dhe në kushtet e reja nëpër të cilat po kalonte letërsia shqipe ai e pati të vështirë, madje të pamundur të inkuadrohej. Dhe si rrjedhim, në këtë përplasje, shndërrim, që po ndodhte në letërsinë shqiptare atij nuk i mbetej tjetër veçse të kthehej në modele që ishin të njohura për të. Kjo nuk ndodhi vetëm me Mjedjën.

***

Migjeni: modern dhe avanguardist.

Migjeni shfaqet në letërsinë shqipe në një kohë kur ajo përjetonte zhvillime e prurje tejet interesante, kapërthime dhe ndërthurje tiparesh të rrymave e drejtimeve letrare europiane e tradicionale, të afërta e të largëta mes tyre. Shfaqja e tij shënon pikën kulmore në zhvillimet letrare shqipe e njëkohësisht prurjen më origjinale e më të dallueshme brenda arealit të poetëve të viteve ‟30. Vëllimi i tij i vetëm me vjersha botohet në vitin 1936, me titullin mjaft domethënës e përshfaqës të risive “Vargjet e lira”. Ky botim i parë me tridhjetë e pesë poezi, menjëherë censurohet nga autoritetet dhe nuk qarkullon. Botimi i dytë do të jetë më 1944, pas vdekjes së poetit. Botimi i këtij vëllimi mund të quhet revolucionar për shkak të frymës, tematikës e mbi të gjitha si shkrimtar që e refuzon traditën në të gjitha dimensionet.

Vlera kryesore e veprës së Migjenit qëndron në thyerjen, shkëputjen përfundimtare të letërsisë shqipe nga ndikimet e modeleve të letërsisë së rilindjes dhe frymës së romantizmit shqiptar që kishte mbizotëruar për një shekull. Traditën romantike kombëtare, që vazhdonte të kishte një ndikim në vitet ‟30, Migjeni e refuzon në të gjitha dimensionet estetike/etike. Kjo është theksuar që në krye të herës, që kur shkrimet e tij filluan të qarkullojnë në organet e kohës. “Me Migjenin çelet një rrymë e re në botën e letrave e të mendimit tonë (…) Ky poet hec në një rrugë të re e asht i pari që prin”.[6] Letërsia shqipe e kohës kishte njohur zhvillime të rëndësishme, ishin shfaqur autorë me prirje e prurje mjaft interesante. Tradita para Migjenit është shumë e rëndësishme. Dhe ja lindi në këtë botë Migjeni si për të treguar se gjithçka që u shkrua para tij në letrat shqipe qe vërtet një gjë serioze, madje madhështore. Por këtej e tutje Migjeni do të ndryshonte në mënyrë konceptuale si askush rrjedhën e letërsisë shqipe. Ai është i pari që kuptoi se jo vetëm shoqëria, por edhe letërsia domosdoshmërisht nuk mund të bënte dot më pa një emancipim tërësor dhe të fuqishëm të kombit dhe të krijimtarisë së fjalës. Ai kuptoi se duheshin rrëzuar totemet dhe idhujt patriarkalë, ballkanikë, konservativë të Shqipërisë. Ai e kuptoi se letërsia shqipe nuk do të kishte më kuptim, nëqoftëse nuk do të krijonte një modernitet cilësisht më të lartë dhe konkret në rrafshin europian dhe botëror[7]. Ai i ka hyrë rrugës së letërsisë, por arti që do të bëjë ai është ndryshe nga të tjerët. Ndryshe për çdo gjë dhe nga çdo gjë. Në zgjedhjen e motiveve, në shtjellimin e tyre, në mesazhin filizofik që kumtojnë, në stilin, në teknikën e të shkruarit, gjuhën. Ai ndahet kështu vetvetiu nga një grumbull i madh shkrimtarësh të kohës.

Migjeni i ri e filloi krijimtarinë me poezinë dhe moderniteti, tiparet e një shkrimtari të ri, shkëputja prej traditës e cilësuar më sipër janë të dukshme që në vargjet e para të këtij autori. Është një shkëputje e vetëdijshme nga poezia e traditës si në aspektin formal edhe në atë tematik. Sjell një poetikë të re, estetikë të re. E titullon përmbledhjen e tij poetike “Vargjet e lira”, titull domethënës i cili e dëshmonë lirinë si procedurë e vetëdijshme letrare, si në aspektin formal të ndërtimit të vargjeve, po ashtu të mendimit dhe boshtit tematik. Artikulohet në këtë mënyrë që në titull vetëdija artistike e autorit se po krijonte një poezi krejt të ndryshme nga rrjedha e poezisë së kohës. Migjeni u shkëput në mënyrë të vetëdijshme nga trajtat formale e tematike të poezisë shqipe të kohës. “Migjeni është larg idiomatizimit e larg kodeve tematike të letërsisë shqipe para e rreth tij. Modeli epik i shkollës idiomatike, te vepra e tij, konvertohet në model moral/ekspresionist. Referencialiteti vihet së pari me jetën e jo me letrën; as me oralitetin”.[8] Migjeni shkëputet prej trajtave konvencionale që mbizotëronin në sistemin poetik të kohës duke krijuar një sistem të ri poetik që niset prej realitetit për ta shndërruar nëpërmjet artit të vërtetë. Poezia e Migjenit, edhe pse e pakët në sasi, del jashtë kontureve të letërsisë shqiptare e inkuadrohet në rrjedhat e letërsisë bashkëkohore europiane.

Studiuesit e veprës së Migjenit, thuajse të gjithë, i janë referuar atij si një “uragan” apo si një “fenomen” i cili shenjoi një etapë të re në poezinë shqipe. Në planin tematik në vargjet e Migjenit mungon tema atdhetare e cila kishte fituar vendin e parë në poezinë e rilindjes. Migjeni vendos marrëdhënie krejtësisht të reja me të vërtetat individuale e shoqërore, shfaqet si poeti që pati guximin t‟u kundërvihet, të demaskojë dhe të rrëzojë tabutë private e shoqërore. Braktis temat dhe motivet e vjetëruara duke vënë në qëndër të poetikës së tij tema të aktualitetit. Tek ai pothuajse askund nuk duket tema patriotike atdhetare. Zotëruese e veprës së Migjenit bëhet tema shoqërore e kohës si dhe dhembja personale lidhur me kohën dhe vetveten. Në këtë kuptim ai është poeti civil që e vuri theksin te njeriu i ditës, te konflikti i këtij njeriu me veten, historinë dhe realitetin. Duke depërtuar në këto raporte Migjeni mundi të zbulonte njeriun dhe botën e tij. Migjeni i jep përmasa të panjohura më parë këtij lloji të lirikës, gjithë poezisë por edhe letërsisë së viteve ‟30. Këtë e bën në radhë të parë nëpërmjet trajtimit të konceptit të lirisë në të gjitha përmasat. Migjeni e donte lirinë të plotë, të papenguar nga veriga fetare dhe paragjykime të tjera psikologjike e morale, nga veriga ekonomike, më në fund edhe nga ato pranga shoqërore që mund të shkëputeshin vetëm prej “grushtit të paligjshëm”. Për herë të parë në poezinë shqipe ai e donte lirinë si vullnet njerëzor të pandrydhur; për herë të parë në lirikën e kohës ai e konceptoi lirinë si një gjendje që mund të realizohej vetëm me ndryshimet e thella të ndërgjegjes.

Një tipar i poezisë së Migjenit çka e bën novator edhe në këtë drejtim lidhet me motivin erotik aq të munguar në poezinë shqipe, jo vetëm në poezinë e rilindjes, por si një nga motivet më pak të trajtuara në të gjitha periudhat e letërsisë shqipe. Figura e gruas mbizotëron në vjershat por edhe në prozat e tij. Ndaj këtyre figurave Migjeni shfaq jo vetëm keqardhje por edhe interesim seksual. Edhe në qëndrimin ndaj figurës së gruas Migjeni paraqitet i ndryshëm në kuadrin e gjithë letërsisë së kohës. I etiketuar si poet i mjerimit shpesh është lënë mënjanë vlera e poezive erotike (nëse do pranojmë t‟i quajmë kështu) të Migjenit. Në fakt erotika e tij është e hapur, prek të tjera dimensione. I veçantë dhe origjinal mbetet ai edhe në këtë lloj të lirikës. Një frymë tjetër paraqitet në poezitë “Ndeshja” dhe “Malli rinuer”. Në të parën dashuria tashmë del si fatkeqësi që shkaktohet nga përbuzja dhe përqeshja prej të tjerëve që e zbuluan këtë fshehtësi. E njëjta situatë përcillet edhe në poezinë “Malli rinuer” ku dashuria nuk është më burim gëzimi, përkundrazi. Krejt e veçantë në disponim paraqitet poezia “Sonet pranveruer”. Poeti i largohet përjetimeve konkrete e kalon në përgjithësime filozofike. Dashuria tani nuk është dashuria e tij, por del si ndjenjë e shpirtit njerëzor. Migjeni i kushton natyrës dy lirika: “Ekstaza pranverore” dhe “Sonet pranveruer”, (në këtë të fundit ndërthuren motivi i natyrës me atë erotik). Spikat në këto lirika ajo hare dhe ai ngazëllim i cili i mungon pjesës tjetër të poezive të poetit. Poet i prirur nga një shqetësim i përhershëm , duke e bërë këtë të fundit shtysën kryesore të procesit krijues, nuk do të përjashtonte nga botëkuptimi i tij gëzimin dhe shpresën, jo vetëm në boshtin personal por edhe si një bindje për një të nesërme më të mirë për njerëzimin.

Ekspresionizmi është një shkollë, tiparet e të cilës janë të dallueshme në poezinë e Migjenit. Studiuesit e kanë vendosur poetikën e tij në relacione më një sërë poetikash europiane të kohës: simbolizmin francez e atë italian, realizmin, futurizmin e surealizmin e madje edhe me krepuskolarizmin. Qemal Draçini sheh në krijimtarinë e Migjenit gjurmë të simbolizmit e të realizmit por sipas tij është e pamundur ta vendosësh krijimtarinë e Migjenit brenda një rryme të caktuar. Në veprën e Migjenit “takohen në një farë pike gjurmë të simbolizmit me vrazhdësin e pikëzimeve të realizmit në fund të shekullit të shkuem”[9]

Në aspektin e formës ai shënon thyerje me traditën. Gjuha e përditshmërisë, sintaksë e thjeshtë, mosprania e figurës, apo prania e pakët e saj janë elemente të poetikës së tij që e afrojnë gjuhën e poezisë me gjuhën e publicistikës. Ai i largohet tendencës atdhetare-himnizuese, konfliktit të jashtëm, shkrimit historizues e mitizues për të themeluar një metodë të re, bazuar në ide që kanë në qendër njeriun në përballje me veten dhe fatin e tij si konflikt i brendshëm. Motivet humaniste e disa prej temave të poezisë së Migjenit (motivet e thella humane, tema e mjerimit, tema e prostitucionit) janë të ngjashme me ato të ekspresionistëve europianë. Njeriu i ditës, realiteti i tij i hidhur dhe tjetërsimi i individit, tjetërsim fizik e moral, që rridhte prej varfërisë e mjerimit (fizik e moral), shfrytëzimit dhe mungesës së lirisë (si koncept social e filozofik) është në qendër të gjithë krijimtarisë së Migjenit. Individi i tij nuk është më heroi tradicional i kulturës sonë, mbartësi i vlerave dhe virtyteve aq të reklamuara në letërsinë tonë, heroi i etnicitetit dhe i lavdisë për të, përkundrazi është njeriu i thjeshtë i përditshmërisë.

***

Kon-vergjenca dhe Di-vergjenca e Palit me Migjenin: Risi dhe Avangarde.

Krijimtaria poetike e Gaspër Palit, edhe pse e kufizuar tregon qartësisht afrinë me poezinë moderne Europiane. I gjendur në qarqet letrare të Shkodrës, ai priret kah linja e poezisë së re që ishte shfaqur në Shkodër me përfaqësues të tillë si Migjeni, por edhe me poetë të tjerë të rinj që krijuan një brez letrarësh të dallueshëm në letrat shqipe. Që në botimin e poezisë së parë “Natë shtregullash” (1936) Pali dëshmon shmangien nga poezia e traditës dhe nga ajo linjë romantike që vazhdonte të kultivohej në Shkodër.

     “Talenti i tij shtegtonte drejt një poezie moderne. Ai ndjehej i afërt me simbolizmin dhe surrealizmin: botës së tij poetike i përgjigjej vargu i lirë, i figurshëm, reagimi emotiv i realitetit, një farë prirjeje drejt hermetizmit”.[10]

Më shumë se sa për një poezi hermetike te Gaspër Pali mund të flasim për poezi meditative që i trajton problematikat në raportin individual. Nëse te Migjeni shfaqet si domosdoshmëri nevoja për ta shpallur, për ta komunikuar te të tjerët gjendjen shpirtërore, dhimbjen poetike, te G. Pali ndodh e kundërta. Trishtimi, dhembja, dëshpërimi deri në pesimizëm, mbizotëruese në poetikën e Palit, janë vokacionet kryesore në poezinë europianë të gjysmës së dytë të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX. Por ndërsa hermetizmi mbeti i largët për Palin, poetika simboliste, të cilën Pali e njohu gjatë qëndrimit në Itali, duket se është rruga nëpër të cilën do të shfaqet modernizmi në krijimtarinë e tij. Organizimi muzikor dhe vargu i lirë janë ndikime të shkollës simboliste. Ashtu si te Migjeni dhe te Gaspër Pali shmanget harmonia e raporteve metrike dhe kërkohen efektet muzikore e kuptimore. Pali është poeti që ndoshta më shumë se kushdo tjetër përfaqëson avangardën në letrat shqipe. Vetëdija për kultivimin e një forme të re të shprehjes poetike, e shfaqur te Migjeni, është në të njëjtën linjë edhe te Pali, edhe pse midis dy poetëve nuk dëshmohet asnjë kontakt. Përpunimi i fjalës dhe i shprehjes poetike, përftimi i vlerave të reja nga fjala, zgjerimi i mundësive të saj konotative, që është një nga tiparet e njohura të avangardës, bëhet më i pranishëm pikërisht në lirikën e viteve ‟30, në brezin e poetëve të përfaqësuar nga Migjeni e Pali.

Konceptimi i poezisë si një sistem imazhesh shumëfishe reflektohet në pjesën më të madhe të poezive të G. Palit. Loja e imazheve si mënyra e organizimit të ligjërimit poetik të Palit realizohet duke i shtënë në përdorim fjalë të reja, me ngarkesë të lartë poetike, përdorimi i fjalëve me vlera të reja konotative, kthimi i fjalëve në simbol. Është thënë se ndërsa “Migjeni e çliron poezinë nga forma tradicionale, G. Pali bëhet kultivues i vargut të lirë”.[11] Pali i shmanget rregullave sintaksore dhe tradicionale të organizimit ritmik të vargut. Liria organizative vjen si rezultat i një mendimi të ri poetik që re shprehet me mjete të reja. Mendim i ri, fjalor i ri, figuracion i ri, sintaksë e re, ligjërim i ri poetik, këtë mund të themi për poezinë e Gaspër Palit.



[1] Ernest Koliqi, Hymje në lirikën shqiptare, Kritikë dhe estetikë, ( Përgatitur nga Stefan Çapaliku), Apollonia, 1999, f. 40.
[2] Sabri Hamiti. Vepra letrare 7 [Letërsia filobiblike. Letërsia romantike]. Prishtinë, Faik Konica, 2002, f. 387
[3] N. Mjedja. Vepra poetike 2.Tiranë, Naim Frashëri, 1988, f.111-116
[4] Mentor Quku, Mjeda 1, Tiranë, botimet Ilar, 2004, f. 14
[5] Ernest Koliqi, Leka, nr 2, f 45-46, Shkodër, shkurt, 1931; Shejzat, nr 1-2, 1962, Romë, f. 194
[6] Qemal Draçini, Vepra poetike e Migjenit, “Fryma”, Shkodër, 1944, nr. 3, Mars, f. 107
[7] Moikom Zeqo, Migjeni, më konceptuali i letrave shqipe, në “Vegime Letrare”, Durrës, Nr. 7, 2011, f.71-72.
[8] Kujtim M. Shala, Format in/tekstore në Prolepsa, AIKD-99, Prishtinë 2011, f. 29.
[9] Qemal Draçini, Vepra poetike e Migjenit, “Fryma” 1944/3, f. 108.
[10] Nasho Jorgaqi, parathënie e përmbledhjes Bisedë me vetvedin, Gaspër Pali, Mbledhur e redaktuar nga Filip Ndocaj, Nasho Jorgaqi, Tiranë, Onufri 2000, f, 5
[11] Gazmend Krasniqi, Poezi – sprovë antologjike, Tiranë 2003.

Lini një Përgjigje