Ambasadorja e BE-së në Tiranë, zbardh takimin me ministrin Demo: Të vijojë lufta kundër krimit të organizuar
Lufta kundër krimit të organizuar, menaxhimi i flukseve migratore dhe forcimi i shtetit të së drejtës ishin në qendër të takimit mes ambasadores së Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Demo.
Delegacioni i BE-së në Tiranë bëri të ditura sot detajet e takimit, duke nënvizuar rëndësinë që Brukseli i kushton këtyre çështjeve në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Ambasadorja Moreira de Sousa theksoi se forcimi i shtetit të së drejtës mbetet një nga prioritetet kryesore në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Shteti i së drejtës mbetet në qendër të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. E urova Ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, për emërimin e tij dhe diskutuam mbi punën që na pret për të vijuar luftën kundër krimit të organizuar, për të menaxhuar në mënyrë efektive migracionin dhe për të forcuar shtetin e së drejtës. Diskutuam gjithashtu për qeverisjen vendore dhe për rëndësinë që kanë bashkitë e forta dhe efikase në ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët”, tha Moreira de Sousa.


