39 kg kokainë zëvendësohen me miell brenda gjykatës, nis hetimi për manipulimin e provave

29 Shtator 2026 | 16:22

Një sasi prej rreth 39 kilogramësh kokainë, me vlerë të përllogaritur deri në 31 milionë dollarë, është zëvendësuar me miell në një gjykatë në Fixhi. Ngjarja ka nxitur një hetim policor për manipulimin dhe shkatërrimin e provave, ndërsa autoritetet po hetojnë rolin e personave përgjegjës për ruajtjen e tyre.

Rasti ka të bëjë me kokainën e sekuestruar si provë në çështjen gjyqësore ndaj fixhiano-kanadezit Joshua Aziz Rahman. Droga mbahej në Gjykatën e Lartë në Suva, kryeqytetin e Fixhit.

Sipas ABC, 32 kilogramë kokainë që ishin ruajtur në gjykatë si prova ishin zëvendësuar me miell, ndërsa shtatë kilogramë të tjerë ishin konstatuar më herët të zhdukur. Në total, bëhet fjalë për 39 kilogramë kokainë të lidhur me këtë rast.

Rasti u zbulua më 15 shtator, gjatë një inspektimi në dhomën ku ruheshin provat. Autoritetet konstatuan se shtatë nga 39 kallëpet e kokainës, të regjistruara si prova materiale, mungonin. Më pas, ekzaminimet mjeko-ligjore treguan se edhe provat e mbetura ishin manipuluar.

Policia e Fixhit njoftoi se “të gjitha provat ishin manipuluar”, ndërsa hetimi po përqendrohet te personat që kishin përgjegjësi të drejtpërdrejtë për menaxhimin e provave në arkivin e Gjykatës Supreme.

Autoritetet kanë bërë të ditur gjithashtu se një person me interes për hetimin ndodhet jashtë vendit dhe pritet të merret në pyetje.

Sasia e drogës ishte sekuestruar në vitin 2019 nga shtëpia e Joshua Aziz Rahman në zonën Kawbati. Sipas të dhënave të çështjes, bëhej fjalë për rreth 39.5 kilogramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur rreth 31 milionë dollarë.

Rahman u dënua në vitin 2021 me 23 vjet burg, me një afat minimal prej 14 vjetësh. Dënimi i tij u la në fuqi edhe në apel.

Ministri i Drejtësisë dhe Zëvendës Prokurorja e Përgjithshme e Fixhit, Siromi Turaga, e ka cilësuar çështjen veçanërisht serioze, duke theksuar se menaxhimi dhe siguria e provave gjyqësore përbëjnë një përgjegjësi institucionale.

Turaga ka deklaruar se një hetim i pavarur po zhvillohet nga Shërbimi i Hetimit Penal i policisë, ndërsa ka theksuar se dega ekzekutive nuk do të ndërhyjë në hetimin operativ.

Hetimi policor vijon, ndërsa deri tani nuk është bërë e ditur nëse ndaj ndonjë personi janë ngritur akuza.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Anthropic vë bast miliarda dollarë për një revolucion ekonomik të ndikuar nga Inteligjenca Artificiale

Anthropic po vendos një bast të madh mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në ekonominë globale, duke e konsideruar atë potencialisht më transformuese se industrializimi, elektrifikimi...
15:27 | 29/09/2026

Lidershipi i Inteligjencës Artificiale në Shtëpinë e Bardhë, kush do të takohet me Trumpin dhe çfarë do të diskutojnë ata

Disa nga emrat më të fuqishëm në industrinë globale të inteligjencës artificiale po kalojnë këtë të martë në Shtëpinë e Bardhë për një takim me...
14:02 | 29/09/2026

Rusia sulmon dy qendra të të dhënave në Kiev dhe anije mallrash në Detin e Zi

Rusia goditi dy anije që lundronin nën flamuj të huaj në rajonin e Detit të Zi të Odesës në Ukrainë, tha të martën Presidenti Volodymyr...
13:44 | 29/09/2026