Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e një grupi prej 44 deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kundërshtuan zgjedhjen e Endrit Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit. Me vendimin e marrë më 29 shtator, zgjedhja e Shabanit mbetet në fuqi.
Deputetët kërkuan verifikimin e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë së Shabanit me funksionin e Avokatit të Popullit, si dhe shfuqizimin e vendimit nr. 111/2025 të Kuvendit, datë 11 dhjetor 2025, përmes të cilit ai u zgjodh në këtë detyrë.
Në njoftimin e saj, Gjykata Kushtetuese bëri me dije se fillimisht shqyrtoi çështjen e juridiksionit. Sipas saj, Avokati i Popullit përfshihet në kategorinë e funksionarëve të organeve të parashikuara nga Kushtetuta dhe, për këtë arsye, çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë, papajtueshmërinë dhe verifikimin e zgjedhjes së tij përfshihen në juridiksionin kushtetues.
Megjithatë, Gjykata vlerësoi se disa prej pretendimeve të ngritura nga deputetët nuk përbëjnë çështje të nivelit kushtetues. Bëhet fjalë për pretendimet lidhur me nënshkrimet e 28 deputetëve mbështetës në një listë të vetme, rregullin e brendshëm sipas të cilit një deputet mbështet vetëm një kandidat, interpretimin e rregullores së Kuvendit për tërheqjen e një projektvendimi nga rendi i ditës, si dhe pretendimin për ekzistencën e një marrëveshjeje politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare për kandidaturën e Avokatit të Popullit.
PD kishte kundërshtuar procedurën e ndjekur për zgjedhjen e Shabanit, duke pretenduar se tërheqja e firmave të deputetëve opozitarë duhej të merrej në konsideratë përpara votimit në Kuvend. Shabani u zgjodh më 11 dhjetor 2025 me 85 vota pro, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim.
Gjykata vlerësoi gjithashtu se Kuvendi ka hapësirë vlerësimi profesional për kandidatët për funksione kushtetuese, për sa kohë respektohen garancitë themelore procedurale dhe nuk ka arbitraritet. Në rastin konkret, sipas Gjykatës, këto garanci nuk janë cenuar.
Po ashtu, u rrëzua pretendimi për papajtueshmërinë e Shabanit me funksionin për shkak të veprimtarisë politike. Gjykata vlerësoi se kushti për mbështetjen nga 28 deputetë ishte plotësuar në fazën e verifikimit të kandidaturave nga Komisioni i Ligjeve dhe se tërheqja e kësaj mbështetjeje pas përfundimit të kësaj faze nuk prodhonte pasoja mbi procedurën e mëtejshme parlamentare.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është marrë njëzëri. Vendimi i arsyetuar pritet të publikohet brenda afateve ligjore.


