Komediani turk Deniz Göktaş është liruar pas 88 ditësh paraburgim, pasi u arrestua për deklaratat e bëra gjatë një shfaqjeje humoristike, ku kishte cilësuar presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan si “diktator”.
Göktaş u ndalua më 3 korrik, pas publikimit në internet të pjesëve nga shfaqja e tij “Ölü Deniz” (“Deti i Vdekur”). Në një prej pjesëve të performancës, komediani kishte bërë komente kritike ndaj presidentit Erdoğan, duke e përshkruar atë si “diktator”.
Çështja u bë objekt i një hetimi penal dhe Göktaş u mbajt në paraburgim për 88 ditë. Në seancën e parë gjyqësore, ai u përball me akuza që lidhen me fyerjen e presidentit, nxitjen e urrejtjes përmes mjeteve të komunikimit dhe vepra të tjera të përfshira në aktakuzë.
Prokuroria kishte kërkuar një dënim që mund të arrinte në më shumë se 11 vite burg, ndërsa në raportime të tjera kërkesa për dënim ishte deri në 12 vjet e 2 muaj.
Gjatë mbrojtjes së tij në gjykatë, komediani argumentoi se deklaratat e tij duhet të konsideroheshin si satirë dhe kritikë politike. Ai theksoi se performanca kishte zgjatur rreth 90 minuta dhe se vetëm një pjesë e saj i referohej presidentit Erdoğan.
“Diktator nuk është fyerje, është një karakterizim politik”, deklaroi Göktaş gjatë seancës gjyqësore.
Gjykata vendosi lirimin e tij pas 88 ditësh paraburgim. Sipas raportimeve, Göktaş është dënuar me 19 muaj e 10 ditë burg për akuzat ndaj tij, por është lënë i lirë në pritje të shqyrtimit të çështjes në apel. Gjithashtu, ndaj tij është vendosur ndalim për të udhëtuar jashtë Turqisë.
Shfaqja “Ölü Deniz”, e publikuar në YouTube, mori miliona shikime dhe pjesë të saj u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale. Në kuadër të çështjes, ndaj komedianit u raportuan 185 ankesa përmes një sistemi të administruar nga zyra e presidentit Erdoğan.
Pas lirimit, Göktaş u shpreh se ishte i lumtur që ishte jashtë burgut, por theksoi se shumë persona të tjerë vijojnë të jenë pas hekurave. Ai tha se shpresonte që një ditë të gjithë të mund ta rifitonin lirinë.


