Një grabitje e pazakontë ka ndodhur në një fshat të Bergamos. Nxënësit dhe mësuesit e kopshtit Giovanni XXIII, të fshatit me 140 banorë u surprizuan mëngjesin e së hënës kur hynë në godinë pas pushimeve të fundjavës, pasi panë se çatia e kompleksit shkollor ishte vjedhur. Vetë shkolla njoftoi nëpërmjet një postimi në Facebook se kishin rënë viktimë të një vjedhjeje të madhe. Sipas tyre, grabitja u krye nga autorë të panjohur që vepruan të pashqetësuar gjatë natës midis të dielës dhe të hënës.

Grabitësit kanë hapur me forcë portat e shkollës dhe hynë në oborrin e shkollës me një furgon. Duke pasur parasysh sasinë e llamarinës prej bakri që vodhën, hajdutët duhet të kenë vepruar për një kohë të gjatë dhe, me shumë mundësi, kanë bërë mjaft zhurmë, por për fat të keq askush nuk vuri re asgjë. “Çatia ishte instaluar disa vite më parë gjatë rinovimeve. Dëmi ende nuk është përcaktuar, por është i konsiderueshëm”, tha Michela Sabia, koordinatore e shkollës.

“Ne folëm me drejtorin e sigurisë, i cili konfirmoi se mësimet mund të vazhdonin sepse pjesa e humbur e çatisë nuk do të ndikonte në rregullsinë e tyre. Disa lodra që formonin një kamp u dëmtuan gjithashtu”, shtoi koordinatorja. Shkolla është një institucion privat katolik, por vjedhja e çatisë së saj preku edhe bashkinë. “Ne pyesnim veten se si ishte e mundur një gjë e tillë, duke pasur parasysh që zona është e banuar”, tha Antonella Rillo, Këshilltarja e qytetit për Arsimin.