Vendimi i Kushtetueses për Shabanin, reagon Bardhi: Dënoj shtrembërimin e fakteve dhe provave

29 Shtator 2026 | 16:33

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së 44 deputetëve të opozitës lidhur me procedurën e zgjedhjes së Endri Shabanit si Avokat i Popullit.

Bardhi e ka cilësuar vendimin si të motivuar politikisht dhe ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese për “mashtrim publik”.

“Mund të kishin thënë thjesht ‘rrëzohet’, për qëllime politike, pa pasur nevojë të mashtronin publikisht. Në çdo rast, çfarëdo lloj vendimi që do të merrte Gjykata Kushtetuese, ne do ta respektonim si të detyrueshëm për zbatim. Por mashtrimin publik nuk e respektojmë dot; përkundrazi, e përbuzim me përçmim”, shprehet Bardhi.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së akuzon Gjykatën Kushtetuese për shtrembërim të fakteve dhe provave në arsyetimin e saj.

“Dënoj me forcë shtrembërimin e fakteve dhe provave nga Gjykata Kushtetuese. Një gjykatë që deformon faktet, humbet besueshmërinë”, shkruan ai.

Në reagimin e tij, Bardhi i referohet pjesës së njoftimit të Gjykatës Kushtetuese ku thuhet se kushti për mbështetjen e kandidaturave ishte plotësuar në momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve dhe kalimit të tyre për votim në seancë plenare dhe se tërheqja e mbështetjes pas kësaj faze nuk mund të sillte më pasoja në procedurën parlamentare.

Sipas Bardhit, kjo nuk përputhet me kronologjinë e veprimeve të Grupit Parlamentar të PD-së.

Ai pretendon se grupi parlamentar i Partisë Demokratike e kishte tërhequr mbështetjen më 5 dhjetor 2025, përmes një shkrese zyrtare, ndërsa Komisioni i Ligjeve e kishte bërë verifikimin e kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare më 9 dhjetor 2025. Dokumenti i PD-së i 5 dhjetorit konfirmon tërheqjen e mbështetjes për disa kandidatë, mes tyre edhe Endrit Shabanin.

“Ndërkohë, Komisioni i Ligjeve ende nuk kishte bërë atë që Gjykata thotë se e kishte bërë: verifikimin e kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Verifikimi nga Komisioni i Ligjeve i kandidaturave dhe kalimi i tyre për votim në seancë plenare është bërë në mbledhjen publike të Komisionit në datën 9 dhjetor 2025, pra 4 ditë pas tërheqjes së mbështetjes”, pretendon Bardhi.

Sipas tij, kjo përbën “mashtrim publik” mbi fakte që, në vlerësimin e tij, janë lehtësisht të verifikueshme dhe vendos në pikëpyetje vendimmarrjen e Gjykatës në këtë çështje.

Bardhi e lidh këtë edhe me vendimin e Gjykatës për të mos e shqyrtuar çështjen në një seancë plenare publike dhe transparente, duke pretenduar se kjo do t’i kishte dhënë opinionit publik mundësinë të njihej me rrethanat e çështjes.

“Nga një Gjykatë që i shmanget transparencës dhe që mashtron opinionin publik mbi fakte të njohura publikisht, nuk mund të presësh drejtësi, por politikë. Kjo është thjesht e papranueshme për një shtet ligjor!”, përfundon Bardhi.

Kërkesa e 44 deputetëve të PD-së kishte në objekt verifikimin e procedurës së zgjedhjes së Endri Shabanit si Avokat i Popullit, si dhe shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të 11 dhjetorit 2025. Gjykata Kushtetuese e kishte kaluar çështjen për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve në mars 2026.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

39 kg kokainë zëvendësohen me miell brenda gjykatës, nis hetimi për manipulimin e provave

Një sasi prej rreth 39 kilogramësh kokainë, me vlerë të përllogaritur deri në 31 milionë dollarë, është zëvendësuar me miell në një gjykatë në Fixhi....
16:22 | 29/09/2026

Rama me prindërit e fëmijëve me aftësi ndryshe: Mësuesit ndihmës duhet të kenë bonus mbi pagën

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me një grup prindërish të fëmijëve me aftësi ndryshe, ku u diskutua për krijimin e një Këshilli Kombëtar dhe...
16:15 | 29/09/2026

Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e 44 deputetëve të opozitës për zgjedhjen e tij, reagon Avokati i Popullit

Avokati i Popullit, Endri Shabani, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së 44 deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kundërshtuan...
16:06 | 29/09/2026