Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos pranuar kërkesën e PD-së lidhur me zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Bardhi deklaron se vendimi i Gjykatës, pavarësisht përmbajtjes së tij, do të respektohej si i detyrueshëm për zbatim.
Megjithatë, ai kundërshton atë që e cilëson si “mashtrim publik” në arsyetimin e bërë publik nga Gjykata.
Sipas Bardhit, Gjykata Kushtetuese ka shtrembëruar faktet dhe provat në njoftimin e saj, duke iu referuar momentit kur, sipas saj, ishte kryer verifikimi i kandidaturave nga Komisioni i Ligjeve dhe ishte bërë kalimi i tyre për votim në seancë plenare.
“Një gjykatë që deformon faktet, humbet besueshmërinë”, shprehet Bardhi, duke shtuar se nëse Gjykata do të kishte thënë thjesht se kërkesa “rrëzohet”, kjo do të ishte e mjaftueshme, pa, sipas tij, paraqitur fakte të pasakta.
Reagimi:
Mund të kishin thënë thjesht “rrëzohet”, për qëllime politike, pa pasur nevojë të mashtronin publikisht. Në çdo rast, çfarëdo lloj vendimi që do të merrte Gjykata Kushtetuese, ne do ta respektonim di të detyrueshëm për zbatim. Por mashtrimin publik nuk e respektojmë dot; përkundrazi, e përbuzim me përçmim.
Dënoj me forcë shtrembërimin e fakteve dhe provave nga Gjykata Kushtetuese. Një gjykatë që deformon faktet, humbet besueshmërinë.
Gjykata Kushtetuese, në njoftimin publik për arsyet e rrëzimit të kërkesës së Grupit Parlamentar të PD-së për paligjshmërinë e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, shprehet se: “Në rastin në shqyrtim, ky kusht ishte plotësuar në momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Në këtë mënyrë, procesi kishte sjellë pasoja konkrete, NDAJ TËRHEQJA E MBËSHTETJES PAS KALIMIT TË KËSAJ FAZE nuk mund të sjellë më pasoja në procedurën vijuese parlamentare.”.
Ky është thjesht një mashtrim publik, që vendos në pikëpyetje të fortë kushtetutshmërinë e vendimmarrjes së Gjykatës në rastin konkret.
Grupi Parlamentar i PD-së ka tërhequr mbështetjen në datën 5 dhjetor 2025, përmes shkresës nr. 3853 Prot., datë 05.12.2026. Ndërkohë, Komisioni i Ligjeve ende nuk kishte bërë atë që Gjykata thotë se e kishte bërë: verifikimin e kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Verifikimi nga Komisioni i Ligjeve i kandidaturave dhe kalimi i tyre për votim në seancë plenare është bërë në mbledhjen publike të Komisionit në datën 9 dhjetor 2025, pra 4 ditë pas tërheqjes së mbështetjes.
Mashtrimi publik i Gjykatës Kushtetuese për akte dhe fakte që janë të njohura botërisht, lehtësisht të verifikueshme, justifikon edhe arsyet jokushtetuese të Gjykatës Kushtetuese për të mos pranuar kërkesën tonë që çështja të shqyrtohej në seancë plenare publike, transparente dhe që opinioni publik të kishte mundësi të njihej me rrethanat e çështjes.
Një Gjykatë që i shmanget transparencës dhe që mashtron opinionin publik mbi fakte të njohura publikisht, nuk bën drejtësi, por politikë. Kjo është thjeshtë e papranueshme për një shtet ligjor!














