
Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi këtë të martë zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke rrëzuar kërkesën e paraqitur nga një grup prej 44 deputetësh të Partisë Demokratike, që pretendonin parregullsi në zgjedhjen e Endri Shabanit në këtë funksion.
PD i kërkoi gjykatës të verifikonte rastin dhe shpallte se Shabani ishte në papajtueshmëri në ushtrimin e detyrës, si dhe shfuqizimin e vendimit të Kuvendit “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”, të datës 11 dhjetor 2025. Një prej argumenteve të paraqitura ishte tërheqja e mbështetejes që i ishte dhënë Shabanit nga deputetët e opozitës.
Endri Shabani u zgjodh në detyrën e Avokatit të Popullit në dhjetor të vitit 2025, duke siguruar votat pro nga mazhoranca në Kuvend. Procesi i votimit për të u zhvillua mes protestave të opozitës, e cila tërhoqi firmat mbështetëse për kandidaturën e tij dhe bojkotoi votimin në seancë plenare. Pas votimit PD vendosi të dërgojë rastin në kushtetuese.
Por gjykata njëzëri e gjeti të pabazuar ankimin. “Gjykata arriti në përfundimin se Kuvendi në zgjedhjet brenda procedurave parlamentare që përfshijnë vlerësime profesionale të kandidatëve për funksione kushtetuese gëzon diskrecion me kusht që të respektojë garancitë themelore procedurale dhe që procesi mos të ketë arbitraritet. Bazuar në këtë standard, në rastin konkret, në procedurën e ndjekur nga Kuvendi, Gjykata nuk konstatoi cenim të garancive themelore procedurale apo arbitraritet”, thuhet në vendim.
Një nga pikat kryesore të ankimimit nga deputetët e PD ishte pretendimi për veprimtari politike nga ana e kandidatit, çka sipas tyre përbënte shkak papajtueshmërie për mbajtjen e këtij posti. Trupa gjykuese e hodhi poshtë këtë argument. “Për sa i përket pretendimit për veprimtarinë politike të ushtruar nga kandidati për Avokat të Popullit, Gjykata konstatoi se, në parim, veprimtaria politike, parashikohet nga Kushtetuta si shkak papajtueshmërie, që ndikon në ushtrimin e funksionit. Në rastin konkret, referuar momentit të betimit të Avokatit të Popullit në Kuvend, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit është i pabazuar”, thuhet në njoftimin për shtyp mbi vendimmarrjen.
Gjithashtu, u rrëzua dhe pretendimi mbi mungesën e mbështetjes së mjaftueshme nga deputetët gjatë momentit kur u krye votimi. Për këtë aspekt, gjykata theksoi se rregulli i propozimit apo mbështetjes nga 28 deputetë nuk është një normë kushtetuese, por një rregull procedural i Ligjit Organik për të garantuar efektivitet. Rrjedhimisht, tërheqja e mbështetjes nga deputetët e opozitës në një fazë të mëvonshme “nuk mund të sjellë më pasoja në procedurën vijuese parlamentare”.
“Në këtë mënyrë, procesi kishte sjellë pasoja konkrete, ndaj tërheqja e mbështetjes pas kalimit të kësaj faze nuk mund të sjellë më pasoja në procedurën vijuese parlamentare”, thuhet në vendim.
Në një reagim të ndarë nga faqja në Facebook e Avokatit të Popullit, ky i fundit njoftoi se mbështeste vendimmarrjen. “Vendimi i sotëm i jep përgjigje çdo pikëpyetjeje mbi procedurën e zgjedhjes”, thuhet në reagimin e ndarë nga Avokati i Popullit.






