Dita e 122-të e protestës/ Qytetarët zbresin sërish në shesh, kërkohet dorëheqja e kryeministrit Rama: Ju erdhi fundi!
“Shqipëria kërkon revolucion”/ Sot dita e 122-të e protestës, qytetarët të vendosur deri në largi...
“Shqipëria kërkon revolucion”/ Sot dita e 122-të e protestës, qytetarët të vendosur deri në largi...
Pas rrëzimit të kërkesës së PD-së për emërimin e Avokatit të Popullit, reagon Endri Shabani: Ë...
Rama: Dua Lipës i pëlqen protesta, mua më pëlqen shumë Dua! Ajo është këngëtare... (VIDEO) 29 Shta...
Shpërthimi në Sarandë/ Karburanti “Ano Oil” prej tre muajsh i mbyllur, dy punonjësit po përgatitnin ambient...
• Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën e PD mbi zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Endrit Shabani. • Deputetët e PD-së kishin kundërshtuar më herët zgjedhjen e Shabanit, i cili u votua nga Kuvendi me 85 vota pro më 11 dhjetor. • Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese thotë se kushti i 28 firmave ishte plotësuar kur kandidatura u verifikua nga Komisioni i Ligjeve dhe kaloi për votim në seancë plenare. • Sipas Kushtetueses, tërheqja e mbështetjes pas kësaj faze nuk mund të pengonte procesin, i cili çoi më pas në zgjedhjen e Endri Shabanit, në krye të Avokatit të Popullit. • Pas këtij vendimi ka reguar edhe Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. • Në një reagim publik, Bardhi tha se kërkesa është rrëzuar për qëllime politike, ndërsa akuzoi Gjykatën Kushtetuese se po mashtron publikisht. • Sipas Bardhit, PD kishte tërhequr mbështetjen për kandidaturat më 5 dhjetor 2025, ndërsa Komisioni i Ligjeve i kishte verifikuar kandidaturat dhe i kishte kaluar për votim në seancë plenare më 9 dhjetor. • Bardhi kundërshtoi argumentin e Gjykatës Kushtetuese se tërheqja e mbështetjes kishte ndodhur pasi kandidaturat ishin verifikuar dhe kaluar për votim. • Nga ana tjetër, Endrit Shabani ka deklaruar se gjatë shqyrtimit të çështjes Avokati i Popullit ka ruajtur një paanshmërinë ndaj deputetëve kërkues dhe Kuvendit, duke mos mbajtur qëndrim mbi themelin e çështjes dhe duke ia lënë vlerësimin Gjykatës Kushtetuese. • Sipas tij, vendimi i dhënë nga GJK i jep përgjigje pikëpyetjeve të ngritura lidhur me procedurën e zgjedhjes së tij në krye të institucionit të Avokatit të Popullit.
5 artikuj për këtë temë.
TIRANA- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së deputetëve të opozitës lidhur me procedurën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se Gjykata Kushtetuese ka manipuluar faktet, për të justifikuar një vendimmarrje politike.
Bardhi theksoi se kalimi i një çështjeje për votim në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë bëhet përmes votimit në Komisionin e Ligjeve dhe miratimit të raportit përkatës. Më tej, ai tha se raporti i Komisionit mban datën 9 dhjetor 2025, ndërsa tërheqja e firmave është bërë më 5 dhjetor 2025.
Reagim mbi Deklaratën e Gjykatës Kushtetuese, i Gazment Bardhi
KEQARDHJE PËR GJYKATËN KUSHTETUESE QË NË KËTË ÇËSHTJE U ZEQINIZUA! TURP!nJeni thjesht qesharakë!
Manipuluat provat për të justifikuar një vendimmarrje politike dhe tani vazhdoni të manipuloni edhe rrethanat e çështjes, vetëm për ta mbuluar atë që tashmë është bërë e qartë. Për turpin tuaj!
Kalimi i një çështjeje për votim në seancë plenare në Kuvendin e Shqipërisë bëhet përmes votimit në Komisionin e Ligjeve dhe miratimit të raportit përkatës. Raporti i Komisionit mban datën 9 dhjetor 2025. Tërheqja e firmave, ndërkaq, është bërë më 5 dhjetor 2025, pra përpara kësaj faze.
Kjo do të thotë një gjë fare të thjeshtë: në momentin kur janë tërhequr firmat, faza e verifikimit dhe e kalimit për votim në seancë plenare nuk kishte përfunduar ende. Prandaj, mos u përpiqni ta deformoni një fakt procedural me lojëra fjalësh, sado të thjeshta apo të komplikuara qofshin ato. Datat janë aty dhe dokumentet flasin vetë.
Ulësiu mund t’ju caktojë juve afate, por nuk mund t’u caktojë afate deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë! Deputetët njohin dhe respektojnë afatet që përcakton ligji, jo afatet që shpiken apo imponohen sipas interesit të momentit. E njëjta gjë vlen edhe për Gjykatën Kushtetuese. Ajo nuk është Gjykata e Ulësiut, por Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. Momenti juridik përcaktohet nga ligji, jo nga vullneti i askujt tjetër.
Kur faktet dhe dokumentet nuk përputhen me narrativën që dëshironi të ndërtoni, nuk mund të ndryshohen faktet. Aq më pak mund të manipulohet kuptimi i tyre. Neveri ndaj manipulimit të provave dhe fakteve. Përbuzje ndaj deklaratave të Gjykatës që turpëron çdo gjyqtarë të asaj Gjxkate sepse i nxjerr ata si trupë gjyqësore që nuk kuptojnë as atë që kanë shqyrtuar./Dosja.al
TIRANA- Gjykata Kushtetuese i është përgjigjur kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, pasi ky i fundit tha se gjykata kishte marrë një vendim për qëllime politike dhe kishte shtrembëruar faktet dhe provat.
Përmes një deklarate zyrtare, Gjykata Kushtetuese thotë se formulimi i përdorur në njoftimin e saj nuk i referohej mbledhjes së 9 dhjetorit, por afatit fundor që Komisioni i Ligjeve kishte përcaktuar për paraqitjen e mbështetjes së kandidatëve nga 28 deputetë.
Ajo thekson se njoftimet për shtyp janë përmbledhje të vendimmarrjes dhe nuk paraqesin hollësisht faktet. Kushtetusja u ka kërkuar palëve të presin publikimin e vendimit përfundimtar të arsyetuar. Në fund ajo thotë se nëse pas publikimit të tij palët kanë pretendime për saktësinë e fakteve, mund të përdorin mjetet ligjore në dispozicion.
Deklarata e plotë e Gjykatës Kushtetuese
Pas njoftimit të publikuar sot për çështjen e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, Gjykata u njoh me reagimin e përfaqësuesit të kërkuesit, sipas të cilit ajo ka “shtrembëruar faktet e provat” e çështjes, duke vënë në dyshim besimin publik te vetë Gjykata. Njoftimet për shtyp shërbejnë për transparencën e vendimmarrjes dhe për informimin e orientimin e publikut deri në shpalljen e vendimit përfundimtar të arsyetuar. Për këtë arsye, hartohen në gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme, pa paraqitur hollësisht faktet. Ato përgatiten nga strukturat ndihmëse të Gjykatës, siç veprohet edhe në gjykata të tjera simotra dhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (https://hudoc.echr.coe.int/eng-press). Lidhur me reagimin e përfaqësuesit të kërkuesit, Gjykata sqaron se togfjalëshi “momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare” i referohet afatit fundor pararendës që vetë komisioni kishte përcaktuar për paraqitjen e mbështetjes së kandidatëve nga 28 deputetë. Si në çdo rast tjetër, palët duhet të presin vendimin përfundimtar të arsyetuar. Nëse kanë pretendime për saktësinë e fakteve të paraqitura në të, mund të përdorin mjetet ligjore në dispozicion./Dosja.al
TIRANA- Avokati i Popullit, Endri Shabani ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së opozitës e cila kundërshtonte procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e tij në detyrën e Avokatit të Popullit.
Në reagimin e tij, Shabani thotë se gjatë shqyrtimit të çështjes Avokati i Popullit ka ruajtur një paanshmërinë ndaj deputetëve kërkues dhe Kuvendit. Kjo duke mos mbajtur qëndrim mbi themelin e çështjes dhe duke ia lënë vlerësimin Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, vendimi i dhënë nga GJK i jep përgjigje pikëpyetjeve të ngritura lidhur me procedurën e zgjedhjes së tij në krye të institucionit të Avokatit të Popullit.
Reagimi:
"Avokati i Popullit respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila, me kërkesë të një grupi deputetësh, verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e titullarit të institucionit dhe konstatoi se ajo është në përputhje me Kushtetutën.
Në këtë çështje, Avokati i Popullit ruajti paanshmërinë ndaj kërkuesve dhe Kuvendit duke mos mbajtur qëndrim për themelin e çështjes dhe duke ia besuar vlerësimin tërësisht Gjykatës, së cilës i përket interpretimi përfundimtar i Kushtetutës.
Vendimi i sotëm i jep përgjigje çdo pikëpyetjeje mbi procedurën e zgjedhjes. Avokati i Popullit vijon punën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut."/Dosja.al
TIRANA- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi kërkesën e PD-së lidhur me zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Në një reagim publik, Bardhi tha se kërkesa është rrëzuar për qëllime politike, ndërsa akuzoi Gjykatën Kushtetuese se po mashtron publikisht.
Ai u shpreh se dënon me forcë shtrembërimin e fakteve dhe provave nga Gjykata Kushtetuese, duke shtuar se një gjykatë që deformon faktet humbet besueshmërinë. Sipas Bardhit, PD kishte tërhequr mbështetjen për kandidaturat më 5 dhjetor 2025, ndërsa Komisioni i Ligjeve i kishte verifikuar kandidaturat dhe i kishte kaluar për votim në seancë plenare më 9 dhjetor.
Bardhi kundërshtoi argumentin e Gjykatës Kushtetuese se tërheqja e mbështetjes kishte ndodhur pasi kandidaturat ishin verifikuar dhe kaluar për votim. Në fund, Bardhi tha se një gjykatë që i shmanget transparencës dhe mashtron opinionin publik mbi fakte të njohura publikisht, nuk bën drejtësi, por politikë.
REAGIMI
Mund të kishin thënë thjesht “rrëzohet”, për qëllime politike, pa pasur nevojë të mashtronin publikisht. Në çdo rast, çfarëdo lloj vendimi që do të merrte Gjykata Kushtetuese, ne do ta respektonim di të detyrueshëm për zbatim. Por mashtrimin publik nuk e respektojmë dot; përkundrazi, e përbuzim me përçmim.
Dënoj me forcë shtrembërimin e fakteve dhe provave nga Gjykata Kushtetuese. Një gjykatë që deformon faktet, humbet besueshmërinë.
Gjykata Kushtetuese, në njoftimin publik për arsyet e rrëzimit të kërkesës së Grupit Parlamentar të PD-së për paligjshmërinë e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, shprehet se: “Në rastin në shqyrtim, ky kusht ishte plotësuar në momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Në këtë mënyrë, procesi kishte sjellë pasoja konkrete, NDAJ TËRHEQJA E MBËSHTETJES PAS KALIMIT TË KËSAJ FAZE nuk mund të sjellë më pasoja në procedurën vijuese parlamentare.”.
Ky është thjesht një mashtrim publik, që vendos në pikëpyetje të fortë kushtetutshmërinë e vendimmarrjes së Gjykatës në rastin konkret.
Grupi Parlamentar i PD-së ka tërhequr mbështetjen në datën 5 dhjetor 2025, përmes shkresës nr. 3853 Prot., datë 05.12.2026. Ndërkohë, Komisioni i Ligjeve ende nuk kishte bërë atë që Gjykata thotë se e kishte bërë: verifikimin e kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Verifikimi nga Komisioni i Ligjeve i kandidaturave dhe kalimi i tyre për votim në seancë plenare është bërë në mbledhjen publike të Komisionit në datën 9 dhjetor 2025, pra 4 ditë pas tërheqjes së mbështetjes.
Mashtrimi publik i Gjykatës Kushtetuese për akte dhe fakte që janë të njohura botërisht, lehtësisht të verifikueshme, justifikon edhe arsyet jokushtetuese të Gjykatës Kushtetuese për të mos pranuar kërkesën tonë që çështja të shqyrtohej në seancë plenare publike, transparente dhe që opinioni publik të kishte mundësi të njihej me rrethanat e çështjes.
Një Gjykatë që i shmanget transparencës dhe që mashtron opinionin publik mbi fakte të njohura publikisht, nuk bën drejtësi, por politikë. Kjo është thjeshtë e papranueshme për një shtet ligjor!/Dosja.al
TIRANA- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ditën e sotme kërkesën e PD mbi zgjedhjen e Avokatit të Popullit, Endrit Shabani. Deputetët e PD-së kishin kundërshtuar më herët zgjedhjen e Shabanit, i cili u votua nga Kuvendi me 85 vota pro më 11 dhjetor.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese thotë se kushti i 28 firmave ishte plotësuar kur kandidatura u verifikua nga Komisioni i Ligjeve dhe kaloi për votim në seancë plenare. Sipas Kushtetueses, tërheqja e mbështetjes pas kësaj faze nuk mund të pengonte procesin, i cili çoi më pas në zgjedhjen e Endri Shabanit, në krye të Avokatit të Popullit.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
Në datën 29.09.2026, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh çështjen me kërkues një grup prej 44 deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendi), në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve (kërkuesi) me objekt verifikimin e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë në ushtrimin e funksioneve të Avokatit të Popullit, përfshirë verifikimin e procedurës së zgjedhjes së tij në detyrë, duke e konstatuar në papajtueshmëri me Kushtetutën, si dhe shfuqizimin e vendimit nr. 111/2025, datë 11.12.2025 të Kuvendit “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”.
Gjykata, bazuar në objektin e kërkesës, si dhe natyrën e thelbin e pretendimeve të parashtruara nga kërkuesi, vuri fillimisht në diskutim çështjen e juridiksionit të saj për shqyrtimin e kësaj çështjeje.
Gjykata, bazuar në përmbajtjen e shkronjës “e” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, vlerësoi, fillimisht, se Avokati i Popullit përfshihet në kategorinë e funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, sipas kësaj dispozite, për rrjedhojë edhe çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë e papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit të Avokatit të Popullit dhe verifikimin e zgjedhjes së tij përfshihen në juridiksionin kushtetues.
Po në këndvështrim të vlerësimit të juridiksionit të saj, Gjykata, pasi mori në shqyrtim pretendimet e ngritura nga kërkuesi, vlerësoi se për: i) nënshkrimet e 28 deputetëve mbështetës në një listë të vetme; ii) mënyrën e zbatimit të rregullit të brendshëm “një deputet mbështet vetëm një kandidat”; iii) interpretimin e nenit 72 të Rregullores të Kuvendit për tërheqjen nga rendi i ditës të projektvendimit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit; iv) ekzistencën e marrëveshjes politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare sipas së cilës Avokati i Popullit duhet të vijë si kandidat i pakicës parlamentare, nuk ngrenë ndonjë çështje të nivelit kushtetues.
Për sa i përket pretendimeve të tjera të kërkuesit për zgjedhshmërinë e Avokatit të Popullit në kuptim të plotësimit të kritereve kushtetuese dhe për papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit, si dhe për verifikimin e zgjedhjes së tij, Gjykata vlerësoi se bëjnë pjesë në juridiksion kushtetues ndaj u ndal në vlerësimin e tyre në themel.
Në lidhje me pretendimin për mosplotësimin e kushtit të zgjedhshmërisë të parashikuar në pikën 2 të nenit 61 të Kushtetutës, sipas të cilit Avokati i Popullit duhet të ketë “njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit”, si dhe hetimin nga Komisioni i Ligjeve në këtë drejtim, Gjykata arriti në përfundimin se Kuvendi në zgjedhjet brenda procedurave parlamentare që përfshijnë vlerësime profesionale të kandidatëve për funksione kushtetuese gëzon diskrecion me kusht që të respektojë garancitë themelore procedurale dhe që procesi mos të ketë arbitraritet. Bazuar në këtë standard, në rastin konkret, në procedurën e ndjekur nga Kuvendi, Gjykata nuk konstatoi cenim të garancive themelore procedurale apo arbitraritet.
Për sa i përket pretendimit për veprimtarinë politike të ushtruar nga kandidati për Avokat të Popullit, Gjykata konstatoi se, në parim, veprimtaria politike, parashikohet nga Kushtetuta si shkak papajtueshmërie, që ndikon në ushtrimin e funksionit. Në rastin konkret, referuar momentit të betimit të Avokatit të Popullit në Kuvend, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit është i pabazuar.
Gjykata gjeti të pabazuar edhe pretendimin tjetër të kërkuesit për verifikimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, për shkak të mungesës së mbështetjes së deputetëve në momentin e votimit të tij në seancë plenare.
Gjykata vëren, fillimisht, se kërkesa për mbështetjen (propozimin) e kandidatëve nga 28 deputetë nuk është një rregull i përcaktuar nga normat kushtetuese, por i parashikuar në Ligjin Organik të Avokatit të Popullit dhe në Rregulloren e Kuvendit. Qëllimi i rregullit procedural për mbështetjen e kandidatëve nga deputetët është të sigurojë efektivitetin e procedurës parlamentare, në funksion të rezultatit të saj dhe nuk është i lidhur me ushtrimin e funksionit ligjvënës nga Kuvendi. Në rastin në shqyrtim, ky kusht ishte plotësuar në momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Në këtë mënyrë, procesi kishte sjellë pasoja konkrete, ndaj tërheqja e mbështetjes pas kalimit të kësaj faze nuk mund të sjellë më pasoja në procedurën vijuese parlamentare.
Në përfundim Gjykata njëzëri vendosi rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.
Çfarë pretendonte PD?
Partia Demokratike pretendoi se procedura e ndjekur për zgjedhjen e tij ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa ka ngritur gjithashtu pretendime edhe për pajtueshmërinë e Shabanit me funksionin e Avokatit të Popullit.
Përplasja mes palëve nisi pasi PD tërhoqi firmat për kandidatët për Avokat të Popullit. Mes tyre ishte edhe Endri Shabani, për të cilin PD deklaroi se nuk kishte më mbështetjen e saj. Pavarësisht kësaj, kandidatura e Shabanit u votua në seancë plenare nga mazhoranca./Dosja.al