“Më shumë se 500 mesazhe mes tyre”, Barkaj: Hyseni furnizonte me informacione të klasifikuara Agasin, i përdorte si gjoba ndaj klaneve

Gazetari Esido Barkaj, i ftuar këtë të martë në studion e “Takohemi n’Vizion” të moderatores Fjodora Fjora në Vizion Plus, ka folur mbi zhvillimet e fundit në drejtësi, siç është rasti i ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Barkaj zbuloi se nga hetimet e SPAK-ut deri tani janë gjetur 500 mesazhe të shkëmbyera mes zonjës Vlora Hyseni dhe Ergys Agasit në aplikacionin Signal të këtij të fundit.
Sipas Barkajt, nuk bëhet fjalë vetëm për një lidhje romantike mes të dyve, por për dhënie informacioni të klasifikuar, i cili më pas është përdorur nga Agasi si mjet gjobëvënieje apo shantazhi ndaj grupeve kriminale.
Pjesë nga intervista:
Fjora: Çfarë dimë saktësisht deri tani për këtë çështje?
Barkaj: Nuk mund ta mbaj peshën vetëm tek lidhja romantike mes dy personave adultë, por bëhet fjalë për pozicionin që zonja Hyseni mbante si drejtuesja e SHISH-it. Janë gjetur më shumë se 500 mesazhe në Signal të Ergys Agasit, komunikime ku ka pasur më së shumti tekste, videomesazhe mes Agasit dhe Hysenit. Hyseni ka thënë që Agasi ishte bashkëpunëtor i jashtëm i SHISH-it, megjithatë mungojnë të dhënat dhe faktet, pasi duhet të jesh diku i regjistruar. Por ajo ka thënë që nuk kam vënë asnjë në dijeni.
Lidhja e tyre intime është konfirmuar nga mesazhet. Fakti më i rëndë është që drejtuesja e SHISH-it ka dhënë informacione tepër sekrete te Ergys Agasi, i cili i ka përdorur për të vënë gjoba ndaj botës së krimit. Nëse provohet se Hyseni i ka dorëzuar Agasit informacionet dhe e ka përdorur SHISH-in për qëllime personale, kjo tregon se siguria ka rënë.




