Zi në qytetin Italian të Trevisos pas ndarjes nga jeta të mjekes shqiptare Anila Thomai, e cila humbi betejën me një sëmundje të rëndë në moshën 58-vjeçare.
Për më shumë se dy dekada,Thomai ushtroi profesionin e mjekes së përgjithshme në Treviso, duke u shërbyer një numri të madh pacientësh dhe familjesh. Ajo kishte klinikën e saj në Via Burchiellati, në qendër të qytetit, ku ndër vite ishte kthyer në një figurë të njohur dhe të besuar për komunitetin.
Anila Thomai ishte pjesë e shërbimit shëndetësor të USL 2 që prej vitit 2005. Përkushtimi ndaj pacientëve, gatishmëria për t'i dëgjuar dhe kujdesi i vazhdueshëm profesional bënë që ajo të krijonte marrëdhënie të veçanta me shumë prej tyre.
Edhe pse po përballej me një sëmundje të rëndë, ajo vijoi të punonte dhe të kujdesej për pacientët për aq kohë sa gjendja e saj shëndetësore ia lejoi.
Lajmi për ndarjen e saj nga jeta ka lënë pas dhimbje te pacientët, kolegët dhe familjet që e njohën ndër vite. Për shumë prej tyre, Thomai nuk ishte vetëm mjekja ku drejtoheshin për kujdes shëndetësor, por edhe një person i gatshëm për t'i dëgjuar dhe mbështetur.