Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e PD-së për Avokatin e Popullit, reagon Bardhi

29 Shtator 2026, 16:57Politika TEMA
Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e PD-së për Avokatin e

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike lidhur me procedurën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

Pas vendimit, ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili e ka kundërshtuar arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese. Bardhi pretendon se në vendim janë shtrembëruar faktet lidhur me momentin kur PD-ja tërhoqi mbështetjen për kandidaturat.

Sipas Bardhit, PD-ja e ka tërhequr mbështetjen për kandidaturat më 5 dhjetor 2025, ndërsa Komisioni i Ligjeve i ka verifikuar kandidaturat dhe i ka kaluar për votim në seancë plenare më 9 dhjetor 2025.

REAGIMI

Mund të kishin thënë thjesht “rrëzohet”, për qëllime politike, pa pasur nevojë të mashtronin publikisht. Në çdo rast, çfarëdo lloj vendimi që do të merrte Gjykata Kushtetuese, ne do ta respektonim di të detyrueshëm për zbatim. Por mashtrimin publik nuk e respektojmë dot; përkundrazi, e përbuzim me përçmim.

Dënoj me forcë shtrembërimin e fakteve dhe provave nga Gjykata Kushtetuese. Një gjykatë që deformon faktet, humbet besueshmërinë.

Gjykata Kushtetuese, në njoftimin publik për arsyet e rrëzimit të kërkesës së Grupit Parlamentar të PD-së për paligjshmërinë e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, shprehet se: “Në rastin në shqyrtim, ky kusht ishte plotësuar në momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Në këtë mënyrë, procesi kishte sjellë pasoja konkrete, NDAJ TËRHEQJA E MBËSHTETJES PAS KALIMIT TË KËSAJ FAZE nuk mund të sjellë më pasoja në procedurën vijuese parlamentare.”.

Ky është thjesht një mashtrim publik, që vendos në pikëpyetje të fortë kushtetutshmërinë e vendimmarrjes së Gjykatës në rastin konkret.

Grupi Parlamentar i PD-së ka tërhequr mbështetjen në datën 5 dhjetor 2025, përmes shkresës nr. 3853 Prot., datë 05.12.2026. Ndërkohë, Komisioni i Ligjeve ende nuk kishte bërë atë që Gjykata thotë se e kishte bërë: verifikimin e kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Verifikimi nga Komisioni i Ligjeve i kandidaturave dhe kalimi i tyre për votim në seancë plenare është bërë në mbledhjen publike të Komisionit në datën 9 dhjetor 2025, pra 4 ditë pas tërheqjes së mbështetjes.

Mashtrimi publik i Gjykatës Kushtetuese për akte dhe fakte që janë të njohura botërisht, lehtësisht të verifikueshme, justifikon edhe arsyet jokushtetuese të Gjykatës Kushtetuese për të mos pranuar kërkesën tonë që çështja të shqyrtohej në seancë plenare publike, transparente dhe që opinioni publik të kishte mundësi të njihej me rrethanat e çështjes.

Një Gjykatë që i shmanget transparencës dhe që mashtron opinionin publik mbi fakte të njohura publikisht, nuk bën drejtësi, por politikë. Kjo është thjeshtë e papranueshme për një shtet ligjor! 

Lini një Përgjigje