Pritjet e gjata për kontrolle dhe vonesat në marrjen e rezultateve mjekësore vijojnë të shqetësojnë qytetarët. Në shumë raste, koha e pritjes zgjatet edhe pasi pacienti e ka kryer ekzaminimin, pasi rezultatet nuk arrijnë të shqyrtohen në kohë. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, thekson se mungesa e termineve është një sfidë që haset në mbarë botën.
Të lidhura
None found
“Mungesa e mjekëve, infermierëve dhe termineve nuk është problem vetëm për vendin tonë, por një çështje globale”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Sipas Klekovskit, vonesat shkaktohen kryesisht nga numri i pamjaftueshëm i personelit. Ai bëri të ditur se po shqyrtohet mundësia që disa kontrolle bazë të mos kryhen vetëm nga mjekët, por edhe nga punonjës të tjerë të sistemit shëndetësor.
“Në Zhirovnicë, për shembull, ka farmaci, por nuk ka mjek. Duhet të shqyrtojmë nëse aty mund të matet tensioni i gjakut apo të kontrollohet niveli i sheqerit, por fillimisht këto shërbime duhet të autorizohen me ligj. Ky propozim është lënë mënjanë dhe harruar prej më shumë se dy vitesh. Synoj që në çdo vend ku gjendet një punonjës shëndetësor i trajnuar — infermier, mjek ose farmacist — të mund të kryhen kontrolle të thjeshta, si matja e tensionit dhe e glukozës në gjak, si dhe shërbime të ngjashme”, tha Klekovski.
Maqedonia e Veriut renditet e para në rajon për vdekshmërinë nga sëmundjet kardiovaskulare. Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se 6888 persona humbën jetën nga këto sëmundje. Shkalla e vdekshmërisë është 37,4% për 1000 banorë. Sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti i padiagnostikuar mbeten ndër rreziqet më serioze, ndonëse zbulimi i tyre mund të bëhet përmes kontrolleve të thjeshta.
