Detaje nga ngjarja në Vlorë/ Fqinji sulmon 70-vjeçaren, i vjedh paratë dhe abuzon me të
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Akërni të Vlorës, ku një 70-vjeçare dyshohet se është dhunuar dhe grabitur në banesën e saj. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 26 shtator. I dyshuari është 43-vjeçari Fatos Ymeri, banor në të njëjtin pallat me të moshuarën.
Dyshohet se Ymeri ka trokitur në derën e banesës dhe pasi 70-vjeçarja i ka hapur derën, e ka goditur në kokë me një sëpatë. Si pasojë e goditjes, gruaja ka humbur ndjenjat. Më pas 43-vjeçari ka kontrolluar banesën dhe ka marrë rreth 70 mijë lekë që ndodheshin aty.
Policia po heton gjithashtu një dyshim tjetër, atë se para largimit nga banesa, i dyshuari mund të ketë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj 70-vjeçares. Pas denoncimit, grupi hetimor ka marrë dëshminë e të moshuarës, ndërsa në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe sëpata me të cilën dyshohet se është kryer goditja.
Fatos Ymeri është shpallur në kërkim, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. 43-vjeçari dyshohet se është përdorues i lëndëve narkotike. 70-vjeçarja e kishte ndihmuar herë pas here duke i dhënë ushqime.

