Eric Brown, zhytësi kanadez dhe një prej specialistëve ndërkombëtarë të përfshirë në shpëtimin e 12 djemve dhe trajnerit të tyre nga shpella e përmbytur Tham Luang në Tajlandë, në vitin 2018, ka vdekur në moshën 44 vjeç.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u bë i ditur më 25 shtator dhe u konfirmua nga burime të komunitetit ndërkombëtar të zhytjes teknike, sipas dailymail. Deri tani, nuk janë bërë publike shkaqet apo rrethanat e vdekjes.
Të lidhura
None found
Brown jetonte në Koh Tao të Tajlandës dhe ishte pjesë e grupit ndërkombëtar të zhytësve me përvojë, të angazhuar për të ndihmuar në operacionin e jashtëzakonshëm në shpellën Tham Luang.
Ngjarja nisi në qershor të vitit 2018, kur 12 futbollistë të rinj të ekipit “Wild Boars”, të moshave 11 deri në 16 vjeç, mbetën të bllokuar brenda shpellës së bashku me trajnerin e tyre 25-vjeçar. Reshjet e dendura të shiut kishin shkaktuar rritjen e ujërave dhe pamundësinë për të dalë nga shpella.
Për shpëtimin e tyre u mobilizuan ekipe nga disa vende të botës. Brown ishte ndër zhytësit që kontribuuan në këtë mision, i cili përfundoi me sukses dhe mundësoi nxjerrjen e të gjithë fëmijëve dhe trajnerit nga sistemi i shpellave.
Vdekja e tij u prit me reagime të shumta në komunitetin ndërkombëtar të zhytjes. Miq, ish-studentë dhe kolegë publikuan mesazhe homazhi për të dhe për kontributin e tij.
Eric Brown kishte krijuar një shkollë zhytjeje në Koh Tao dhe vazhdonte të ishte aktiv në fushën e zhytjes teknike dhe eksplorimit të shpellave.
Raportet e para për vdekjen e tij u publikuan pa një njoftim paraprak nga familja apo kompania e tij. Për pasojë, ende nuk dihen koha, vendi dhe rrethanat e sakta të ndarjes së tij nga jeta.
Misioni në Tham Luang, ku mori pjesë edhe Brown, konsiderohet një prej operacioneve më të njohura ndërkombëtare të shpëtimit në shpella. Fëmijët e ekipit të futbollit u nxorën gradualisht nga sistemi i përmbytur i shpellave.
