Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Gjenerali Eric Wendt ka nisur zyrtarisht detyrën si përfaqësuesi më i lartë i SHBA në vendin tonë, në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e rezidencës zyrtare te Rruga e Elbasanit.
Vetë selia diplomatike në Tiranë, thotë se me gjeneralin Wendt nis një kapitull i ri në Shqipëri dhe në nder të tij, Trupa e Marinsave e Shteteve të Bashkuara ngriti flamurin amerikan në rezidencën zyrtare.
"Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, aleancat tona janë më të forta kur qëndrojmë së bashku, ndajmë përgjegjësitë dhe punojmë për një të ardhme më të begatë e më të sigurt për të dy vendet tona", shkruan Ambasada Amerikane.
Ish-gjenerali amerikan vjen në Tiranë me një agjendë të përcaktuar dhe me disa prioritete të bëra publike gjatë dëgjesës në Senatin Amerikan. Në atë seancë, Wendt renditi katër drejtimet kryesore ku do të përqendrohet gjatë mandatit të tij në Shqipëri.
Në fokusin e parë është mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të Shteteve të Bashkuara, ku përfshihet edhe mbështetja për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.
Një tjetër çështje e rëndësishme lidhet me sigurinë dhe angazhimet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s. Wendt ka deklaruar se do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, me objektivin e arritjes së nivelit 5% të PBB-së deri në vitin 2035.
Në axhendën e tij është edhe diplomacia ekonomike dhe tregtare. Ambasadori i ri amerikan ka nënvizuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ekonomike dhe krijimit të më shumë mundësive për bizneset dhe investimet amerikane në Shqipëri.
Ndërsa prioriteti i katërt lidhet me vetë stafin e Ambasadës Amerikane. Wendt e ka cilësuar këtë si “faktori njerëzor”, duke theksuar nevojën për përdorimin e mënyrave standarde dhe kreative në funksion të punës së përfaqësisë diplomatike.
Kush është Eric Wendt?
Me mbi 34 vite shërbim aktiv, Wendt ka mbajtur një sërë pozicionesh të larta drejtuese, duke menaxhuar organizata komplekse me mijëra personel ushtarak, civil dhe ndërinstitucional. Përveç karrierës ushtarake, ai ka kontribuar edhe në diplomaci, duke shërbyer për dy vite në Departamentin Amerikan të Shtetit si pjesë e Ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem. Në këtë rol, ai drejtoi një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari i Shtetit.
Departamenti i Shtetit thekson se përvoja e tij e gjerë në lidership, aftësia për të menaxhuar struktura shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe njohja e thellë e rajonit evropian e bëjnë Wendt një kandidat shumë të kualifikuar për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në Shqipëri.
Në aspektin akademik, Wendt ka përfunduar studimet Bachelor në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara, si dhe një diplomë Master në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kaliforni. Ai zotëron gjithashtu njohuri në gjuhën arabe dhe koreane.
Për kontributin e tij ndër vite, ai është vlerësuar me një sërë dekoratash dhe çmimesh prestigjioze, përfshirë Medaljen e Shërbimit të Shquar të Mbrojtjes, Medaljen e Shërbimit të Shquar, Medaljen e Yllit të Bronzit dhe Çmimin e Nderit të Lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve.
