Tragjedia që ka tronditur SHBA/ Akuzohet për vrasjen e tre fëmijëve të saj, Lindsay Clancy del për herë të parë në gjykatë pas gjyqit të dështuar

29/09/2026 17:13

Lindsay Clancy, 36 vjeçe, është shfaqur për herë të parë në gjykatë që prej përfundimit pa vendim të gjyqit për vdekjen e tre fëmijëve të saj.

Clancy u paraqit të martën, më 29 shtator, në Plymouth Superior Court, në Massachusetts, për një seancë procedurale ku prokurorët pritet të bëjnë të ditur nëse do të kërkojnë një gjyq të dytë.

Në fillim të seancës, gjyqtari William Sullivan e përshëndeti Clancy-n, e cila iu përgjigj: “Mirëmëngjes.”

36-vjeçarja akuzohet për vrasjen e tre fëmijëve të saj – Cora, 5 vjeçe, Dawson, 3 vjeç dhe Callan, vetëm 8 muajsh – të cilët humbën jetën në janar 2023.

Ajo është deklaruar e pafajshme, duke argumentuar se në momentin e ngjarjes vuante nga psikoza pas lindjes dhe nuk ishte penalisht përgjegjëse për veprimet e saj.

Pas ngjarjes, Clancy tentoi të vetëvritej duke u hedhur nga dritarja e katit të dytë. Rënia i shkaktoi dëmtime të rënda dhe e ka lënë të paralizuar nga mesi e poshtë.

Gjyqi përfundoi pa vendim

Procesi gjyqësor zgjati pesë javë dhe përfundoi më 4 shtator, kur gjyqtari shpalli mistrial, pasi juria nuk arriti të merrte një vendim unanim. Anëtarët e jurisë diskutuan për shtatë ditë.

Prokuroria kishte argumentuar se Clancy i vrau fëmijët me vetëdije dhe se në momentin e krimit ishte në gjendje të kuptonte dallimin mes së drejtës dhe së gabuarës.

Avokati i saj, Kevin Reddington, ka kërkuar që ajo të mos përballet me një gjyq të dytë, duke argumentuar se një proces i ri do të përbënte shkelje të parimit të ndalimit të gjykimit të dyfishtë për të njëjtën vepër.

Mbrojtja kërkon gjithashtu që gjyqtari ta shpallë Clancy-n të pafajshme, me argumentin se prokuroria nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për të vërtetuar përgjegjësinë e saj penale.

Clancy aktualisht mbahet nën mbikëqyrje për parandalimin e vetëvrasjes në një spital psikiatrik shtetëror.

Top Channel