Lindsay Clancy, 36 vjeçe, u paraqit për herë të parë në gjykatë pas përfundimit pa një vendim të gjyqit për vdekjen e tre fëmijëve të saj.
Të lidhura
None found
Ajo u shfaq të martën, më 29 shtator, në Plymouth Superior Court, në Massachusetts, ku u zhvillua një seancë procedurale. Në këtë seancë, prokurorët pritet të njoftojnë nëse do të kërkojnë zhvillimin e një gjyqi të dytë.
Gjatë nisjes së seancës, gjyqtari William Sullivan e përshëndeti Clancy-n, e cila iu përgjigj: “Mirëmëngjes.”
Clancy përballet me akuzat për vrasjen e tre fëmijëve të saj: Coras, 5 vjeçe, Dawsonit, 3 vjeç dhe Callanit, vetëm 8 muajsh. Të tre fëmijët humbën jetën në janar 2023.
Ajo nuk i pranon akuzat dhe është deklaruar e pafajshme. Sipas mbrojtjes, në kohën e ngjarjes Clancy vuante nga psikoza pas lindjes dhe nuk mund të konsiderohej penalisht përgjegjëse për veprimet e saj.
Pas ngjarjes, 36-vjeçarja tentoi t’i jepte fund jetës duke u hedhur nga dritarja e katit të dytë. Për pasojë, ajo pësoi dëmtime të rënda dhe mbeti e paralizuar nga mesi e poshtë.
Procesi i parë gjyqësor zgjati pesë javë dhe përfundoi më 4 shtator, kur gjyqtari shpalli mistrial, pasi juria nuk arriti të merrte një vendim unanim. Juria kishte diskutuar për shtatë ditë.
Prokurorët pretenduan se Clancy i vrau fëmijët me vetëdije dhe se, në momentin e krimit, ajo ishte në gjendje të dallonte të drejtën nga e gabuara.
Avokati i saj, Kevin Reddington, ka kërkuar që klientja të mos përballet me një proces të dytë. Ai argumenton se një gjyq i ri do të shkelte parimin që ndalon gjykimin dy herë për të njëjtën vepër.
Mbrojtja ka kërkuar gjithashtu që gjyqtari ta shpallë Clancy-n të pafajshme, duke theksuar se prokuroria nuk ka sjellë prova të mjaftueshme për të provuar përgjegjësinë e saj penale.
Aktualisht, Clancy mbahet nën mbikëqyrje për parandalimin e vetëvrasjes në një spital psikiatrik shtetëror.
