"Rrënjë që nuk Thyhen". Flora Selfo si deshmitare e diktatures

29 Shtator 2026, 17:36Kulturë TEMA

 

"Rrënjë që nuk Thyhen". Flora Selfo si deshmitare e
 Muzeu Kombëtar i Përgjimeve "Shtëpia e Gjetheve" në Tiranë, nuk mbart brenda tij vetëm kujtesën e hidhur të krimeve të komunizmit, por shërben edhe si një platformë dialogu shoqëror, ku takimet letrare dhe aktivitete me temë nga e kaluara komuniste, i japin jetë të re këtij ambjenti, duke e kthyer të shkuarën në një mësim për të ardhmen.

Në selinë e këtij institucioni u promovua edhe libri "Rrënjë që nuk Thyhen", me autore ish të persekutuarën politike me banim në Amerikë Flora Selfo. Ky libër përbën një moment të rëndësishëm në dokumentimin e kujtesës kolektive dhe të qëndresës ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri.

Një libër që të impresion vërtetë, në mënyrën e të shkruarit e paraqitur të ngjarjeve që Floresha Selfo ka përjetuar gjatë viteve te diktaturës komuniste në Shqipëri. Aty njihemi me dëshminë e gjallë të qëndresës së saj gjatë viteve të regjimit komunist në Shqipëri. Kohë kur terrori dhe tortura ishin të pandara për këdo që do të ngrinte krye ndaj krimeve, diktatit e thundrës së diktatorit Hoxha e klikës së tij. 

Familja Selfo ka provuar persekucion të rëndë politik dhe ekonomik nga regjimi komunist, megjithëse i dha shumë kombit e popullit shqiptar, si në industri, ndërtime shkollsh, urash e ndihma të tjera humanitare, por që u shpërblye nga Enver Hoxha me vrasje, konfiskim pasurie dhe dëbim nga Kryeqyteti.  

Libri sjell përvojën personale dhe familjare të Flora Selfos, duke ndriçuar vuajtjet, persekutimin politik, por mbi të gjitha forcën shpirtërore dhe dinjitetin e grave e familjeve që përballuan egërsinë e regjimit. Përmes këtij botimi, autorja kontribuon në pasurimin e literaturës mbi të përndjekurit politikë, duke shërbyer si një urë lidhëse mes të kaluarës së dhimbshme dhe brezave të rinj. 

Kjo vepër mbetet një kontribut i vlefshëm për të mos lejuar harrimin e krimeve të komunizmit dhe për të nderuar sakrificën e atyre që nuk u përkulën. "Rrënjë që nuk Thyhen", promovuar në Tiranë i autores Flora Selfo flet mbi qëndresën ndaj persekutimit, vuajtjet dhe dëshmitë e gjalla kundër harrimit. 

Recensioni dhe promovimi "Rrënjë që nuk Thyhen" realizuar tek selia "Shtëpia e Gjetheve" në Tiranë, që dikur ishin zyrat sekrete të sigurimit të shtetit komunist, ku xhelatët shqiptarë arrestonin e torturonin intelektualët, antikomunistët, fshatarin e varfër, gruan intelektuale dhe studentin e ekselencës. Një zgjedhje kjo që e bën ngjarjen edhe më simbolike dhe më të fuqishme. 

Kontrast ky i fortë historik, ku dikur aty shkatërroheshin jetët, sot pret dëshmitë e mbijetesës. Çfarë tregon se qëndresa mposhti torturën. Dëshmia e Flora Selfos flet qartë se aty ku dikur torturohej, sot nderohet dinjiteti, jepet triumfi i kujtesës mbi diktaturën. Ky takim mblodhi bashkë ish të persukutuar politikë të regjimit komunist, shkrimtarë, përfaqësuesë të medias dhe shoqërisë civile.

 

Lini një Përgjigje