Estonia akuzon Rusinë për zjarrvënien ndaj kompanisë së mbrojtjes që furnizon Ukrainën: E bëre ti, akt sabotimi

29/09/2026 17:57

Autoritetet estoneze kanë akuzuar shërbimet speciale ruse se kanë urdhëruar një sulm me zjarrvënie ndaj kompanisë së mbrojtjes Milrem Robotics në Talin, e cila furnizon Ukrainën me automjete ushtarake pa pilot.

Sulmi ndodhi natën e 14 dhe 15 gushtit. Kryeministrja estoneze Kristen Michal tha se autoritetet kanë arritur në përfundimin se pas incidentit qëndrojnë shërbimet speciale ruse, ndërsa nuk dha detaje të mëtejshme mbi provat që mbështesin këtë vlerësim.

Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, tha se informacionet e mbledhura nga Shërbimi i Sigurisë së Brendshme të Estonisë, Kapo, i lejojnë autoritetet të konkludojnë se zjarri ishte “një akt sabotimi i urdhëruar nga shërbimet speciale të Federatës Ruse”.

Sipas autoriteteve estoneze, personat që dyshohet se kanë kryer sulmin janë arrestuar.

Shefja e Kapo-s, Margo Palloson, tha se të dyshuarit ishin shtetas letonezë që kishin jetuar në Rusi dhe se kishin marrë pjesë edhe në incidente të mëparshme.

Tre persona u arrestuan në Letoni dhe u ekstraduan në Estoni në fillim të këtij muaji.

Palloson tha se Rusia po kërkon vazhdimisht persona që mund të kryejnë akte sabotimi në vende evropiane, por shtoi se incidenti ndaj Milrem Robotics ishte sulmi i parë i suksesshëm i këtij lloji që autoritetet estoneze i atribuojnë Rusisë gjatë këtij viti.

Ministri i Jashtëm estonez e lidhi incidentin me një fushatë më të gjerë të Rusisë në Evropë.

“Ky akt sabotimi është pjesë e fushatës më të gjerë të Rusisë në të gjithë Evropën, që synon të na frikësojë dhe të dobësojë mbështetjen tonë për Ukrainën”, tha Tsahkna.

Sipas Kapo-s, Rusia po kërkon mundësi të reja për sabotim dhe akte të tjera armiqësore në vendet evropiane.

Palloson paralajmëroi gjithashtu se personat e rekrutuar për këto operacione mund të manipulohen ose të mashtrohen lidhur me qëllimin e vërtetë të veprimeve të tyre.

Akuzat e Estonisë kanë marrë mbështetje nga disa prej aleatëve të saj evropianë. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se shtimi i akteve armiqësore përbën, sipas tij, një përshkallëzim të rrezikshëm.

Macron përmendi edhe incidentin e gushtit në aeroportin e Leipzigut në Gjermani, ku një dron i mbushur me eksploziv u gjet pranë avionëve të mallrave ukrainas.

“Rusia duhet ta dijë se nuk do ta mposhtë unitetin tonë apo vendosmërinë tonë për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës”, tha presidenti francez.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian deklaroi se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u bëri thirrje vendeve evropiane të ruajnë qetësinë dhe të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën.

Sipas Rutte, Rusia po zhvillon një fushatë veprimesh armiqësore kundër vendeve të NATO-s me synimin për të dobësuar mbështetjen për Ukrainën.

Kremlini ka mohuar përfshirjen në sulm. Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitry Peskov, i cilësoi akuzat estoneze si të pabazuara dhe pa lidhje me realitetin.

“Ne nuk mundemi dhe nuk do t’i marrim seriozisht deklarata të tilla”, tha Peskov.

Top Channel