E martë, 29 Shtator 2026 Trashëgimtari Halef deri në 19:00 Në vijim ora 19:00: Lajme Ora 19:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Demo: Siguria në shkolla nuk diskutohet

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ndërsa ishte i pranishëm në Kamëz gjatë ditës së sotme foli për Paketën e Sigurisë në Shkolla.

Gjatë fjalës së tij ministri Demo theksoi se siguria në shkolla nuk negociohet dhe ëpr këtë premtoi angazhimin e institucioneve për garantimin e një mbrojtjeje të plotë për fëmijët në të gjithë vendin.

Reklamë

“Ne jemi sot katër ministra në takim, që të ofrojmë një mbrojtje dhe siguri të plotë 360 gradë për fëmijët në vendin tonë”, deklaroi Demo, në bashkëbisedimin me nxënës, mësues e prindër, ku ishin të pranishëm ministrja e Arsimit, Kumbaro, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Spahiu, ministri i Bujqësisë, Salla dhe kryetari i bashkisë, Suli.

Më tej Demo nënvizoi se siguria nis brenda ambienteve të shkollës dhe vijon me garantimin e sigurisë në perimetër, cilësinë e ushqimit në institucionet ku ofrohet ky shërbim dhe mirëqenien fizike të nxënësve.

 “Ka zero tolerancë për sa i përket akteve apo veprimeve që mund të vënë në rrezik mirëqenien e fëmijëve tanë”, tha Demo, duke theksuar se objektivi është krijimi i një mjedisi të qetë dhe të sigurt, ku nxënësit të mund të përqendrohen te mësimi dhe të japin maksimumin e tyre.

Sipas ministrit, Paketa e Sigurisë në Shkolla nuk është vetëm një mekanizëm reagimi, por një sistem i bashkërenduar parandalimi, ku komunikimi mes oficerëve të sigurisë, psikologëve, mësuesve, policisë dhe prindërve është thelbësor për identifikimin dhe parandalimin në kohë të çdo fenomeni negativ. Duke iu referuar angazhimit të Policisë së Shtetit, Demo e cilësoi sigurinë në shkolla si “vijën më të kuqe të mundshme”, duke garantuar se çdo element që cenon sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve do të trajtohet me zero tolerancë.

“Ka zero tolerancë dhe është vija më e kuqe e mundshme që Policia e Shtetit tashmë ka vendosur për sa i përket garantimit të të gjithë atyre elementëve që duhet ta bëjnë një prind, një familje të qetë dhe mbi të gjitha të sigurt për të ardhmen e fëmijëve të tyre ku shkojnë në ambientet e shkollës”, u shpreh ministri.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.