Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mesditën e sotme në një pallat banimi në Neuchâtel të Zvicrës, duke shkaktuar plagosjen e katër personave. Njëri prej tyre është në gjendje të rëndë dhe është transportuar me helikopter drejt spitalit.
Shkaqet e shpërthimit ende nuk janë bërë të ditura. Pas shpërthimit, në një prej apartamenteve të pallatit ka rënë zjarr, por ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur vënien nën kontroll të flakëve.
Zona përreth ndërtesës është rrethuar nga autoritetet dhe ka qëndruar e mbyllur për disa orë, ndërsa vijojnë hetimet për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të ngjarjes.
Pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë flakë dhe tym të dendur që dalin nga dritaret e një apartamenti në katin e parë. Ndërkohë, fasada e ndërtesës ka pësuar dëmtime të dukshme si pasojë e shpërthimit.
Autoritetet zvicerane vijojnë punën për të zbardhur rrethanat e incidentit dhe për të përcaktuar shkakun e shpërthimit.


