Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar këtë të martë kërkesën e Partisë Demokratike për emërimin e Avokatit të Popullit, Endrit Shabani, duke e cilësuar zgjedhjen e tij nga Kuvendi me shumicë votash të mazhorancës, si të ligjshëm.
Deputetët e PD-së kundërshtuan zgjedhjen e Endrit Shabani, i cili u votua nga Kuvendi me 85 vota PRO më 11 dhjetor.
Opozita pretendonte se procedura e ndjekur për zgjedhjen e tij ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa ka ngritur pretendime edhe për pajtueshmërinë e Endrit Shabanit me funksionin e Avokatit të Popullit.
Vendimi është përshëndetur edhe nga vetë institucioni i Avokatit të Popullit, i cili thekson se ruajti paanshmërinë ndaj kërkuesve dhe Kuvendit duke mos mbajtur qëndrim për themelin e çështjes dhe duke ia besuar vlerësimin tërësisht Gjykatës, së cilës i përket interpretimi përfundimtar i Kushtetutës.
Reagim i Avokatit të Popullit, Endrit Shabani:
"Avokati i Popullit respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila, me kërkesë të një grupi deputetësh, verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e titullarit të institucionit dhe konstatoi se ajo është në përputhje me Kushtetutën.
Në këtë çështje, Avokati i Popullit ruajti paanshmërinë ndaj kërkuesve dhe Kuvendit duke mos mbajtur qëndrim për themelin e çështjes dhe duke ia besuar vlerësimin tërësisht Gjykatës, së cilës i përket interpretimi përfundimtar i Kushtetutës.
Vendimi i sotëm i jep përgjigje çdo pikëpyetjeje mbi procedurën e zgjedhjes. Avokati i Popullit vijon punën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut."
