Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak të Tiranës është shoqëruar me debate të forta mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, teksa po shqyrtohej projektligji i propozuar nga PS për Reformën Territoriale.

Këshilltarja demokrate e Bashkisë Tiranë, Ilda Zhulali, është shprehur se Karta e Autonomisë Vendore ka parashikuar detyrimin që para se të merret një vendim për ndarjen territoriale, duhet të merret mendimi i autoriteteve lokale dhe i komuniteteve.

Zhulali akuzoi përfaqësuesit e mazhorancës se po përpiqen ta reduktojnë diskutimin dhe ta konsiderojnë çështjen që po trajtohet për ndarjen e re territoriale, si diçka të pavlerë.

"Karta Europiane e autonomisë vendore ka përcaktuar si detyrim, pra që qeveria atje një ditë mund të çmendet dhe të propozojë që gjithë Shqipëria të konsiderohet një bashki. Edhe kryeministri mund të jetë njëkohësisht kryetar bashkie i të gjithë Shqipërisë. Por karta europiane parashikon disa mekanizma që e parandalojnë këtë gjë. Karta e Autonomisë Vendore ka parashikuar detyrimin që para se të merret një vendim i tillë në nivel qëndror dhe të kalojë në Parlament, duhet të merret mendimi i autoriteteve lokale dhe i komuniteteve bashkë. Prandaj është detyrim ligjor. Nuk vjen kot ky vendim këtu dhe nuk vjen për të thënë ju që 'është vendim politik që ka marrë mazhoranca në Kuvend'. Zoti Salianji kërkon ta reduktojë diskutimin për këtë pikë dhe ta konsiderojë një gjë të pavlerë. Unë po të them krejt të kundërtën. Kini respekt për veten tuaj, sepse pjesa më e madhe e njerëzve këtu përfaqësoni njerëz që kanë jo vetëm integritet, por kanë edhe një backgraund të rëndësishëm në profesionet e veta", tha mes të tjerash Zhulali.

Ndërkohë këshilltari socialist Luan Bregasi është shprehur se palët mund të kenë mendime të ndryshme për mënyrën sesi duhet të bëhet ndarja e re territoriale, por sipas tij, në fund është vota që vendos.

"Vota është zgjidhja për çdo lloj mendimi. Ne do ta respektojmë mendimin dhe pastaj do votojmë", tha Bregasi.

Nga ana tjetër, këshilltari demokrat Dorjan Teliti tha se Reforma Territoriale duhet të jetë një reformë e qytetarit, që sjell zhvillim në familjet e shqiptarëve dhe akses në shërbimet publike.

Teliti ngriti edhe shqetësimin për mungesën e tualeteve publike në Tiranë, teksa tha se krijimi i tyre në disa pika kyçe të kryeqytetit është një domosdoshmëri.

"Administrimi i këtij qyteti i krijon funksionet e veta? Një prej tyre është edhe ajo që tha kolegia. Banjot publike, kanë qenë në kohën e xhaxhit, por nuk janë në kohën e Erionit. Sepse të gjithëve na ka ndodhur që jemi futur në market apo dyqan, duke blerë kafe dhe ujë për të përdorur tualetet. Për më tepër se kaq, reforma administrativo-territoriale, duhet të jetë reformë e qytetarit, që sjell zhvillim në familjet tona dhe akses në shërbimet publike. Çdo bashki e ka gjendjen civile, ka zjarrfikëset e veta, por a i kemi ne në këtë format që i kemi sot, optimumin e duhur? Pra është funksionim i gjëse. Prandaj quhet administrativo-territoriale. Tani ne jemi të detyruar të respektojmë frymën e qytetarëve të Tiranës. Ky Këshill nuk denjoi që të kryente 30 takimet që ne kishim propozuar. Shkuam të vetëm, por jo bashkë me ju", tha mes të tjerash Teliti.


Lajmi kryesor:

'Territorialja'/ Këshilli i Tiranës pro hartës së re, opozita voton kundër: S’u dëgjuan qytetarët! SPAK nuk lejoi Veliajn në mbledhje