Muli kërkon një strategji të re komunikimi kundër Ramës

29 Shtator 2026, 18:46Antena TEMA

Mulin e ka kapur një trishtim i thellë nga mungesa e vëmendjes ndaj opozitës. Ka disa javë që qeveria bombardon çdo ditë njerëzit me skandalet e saj. Dy javë i mbajti Gysi, pastaj do të fillojnë Beni me Klodin, pastaj kushedi kush e ka radhën. Ndoshta fillon edhe Vlora ndonjë podkast nga shtëpia.

– Duhet të bëjmë diçka, – i tha Lelos, – se mbetëm jashtë vëmendjes. Nuk e ka njeri mendjen fare se çfarë themi ne.

– S’kemi çfarë të bëjmë, – tha Lelo. – Rëndësi ka të komentojmë skandalet e këtyre.

– Sado t’i komentojmë ne, ato janë aq të bukura për popullin, sa nuk duan as të dëgjojnë se çfarë mendojmë ne. Duhet të bëjmë një strategji tonën, që të kenë vëmendje edhe nga ne.

– Kjo situatë ka vetëm një zgjidhje: të ndjekim një strategji të ngjashme, – i tha Lelo. – Të fillojmë edhe ne të tregojmë se si ia kemi futur njëri-tjetrit. Për shembull, të dalë zonja Karo dhe të thotë: “Ma ka futur Lelo”. Pastaj të dal unë dhe të them: “Ma ka futur Belo”. Të dalë Belo dhe të thotë: “Ma ka futur Kelvesi”. Pastaj të dalë Kelvesi dhe të thotë: “Ma ka futur Alimehmeti”. Të dalë ai dhe të thotë: “Ma ka futur Gaz Bardhi”, e kështu me radhë. Vetëm kështu mund të bëhemi edhe ne interesantë.

– Puna është se duhet edhe pak seks brenda, – tha Muli. – Ndryshe nuk i konkurrojmë. Për shembull, kush është Gysi ynë?

– Ne s’jemi imoralë, – tha Lelo. – S’kemi Gys. Edhe ato fjalë që janë hapur për ty, i kanë hapur armiqtë.

– Po çfarë Gysi jam unë në opozitë? – tha Muli. – Çfarë do t’u premtoj unë? Maksimumi një fotografi me Doktorin. Për aq s’të jep njeri gjë. As ajo Alma e Safetit s’ma diti për nder që e çova te Doktori.

– E pra, s’kemi shans, – tha Lelo. – Edhe këta djemtë e rinj që kemi ne, në moshën e Gysit, janë familjarë seriozë, si Belua, ashtu edhe Kelvesi. Gaz Bardhit, që është disi më i hedhur, s’i ka dalë ndonjë llaf me gratë e PD-së.

– Ke të drejtë, – tha Muli. – Na lanë në hije shkërdhatat. Duhet të sajojmë diçka, se po na marrin gjithë vëmendjen. Mbetëm duke komentuar se çfarë bëjnë ata plehrat e Ramës.

Lini një Përgjigje