
Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) ka arrestuar dy persona të dyshuar për spiunazh në favor të shërbimeve të inteligjencës shqiptare dhe kosovare.
Aksioni është zhvilluar këtë të martë në Vranjë dhe Jagodinë, ndërsa lajmi është raportuar nga mediat serbe.
Sipas raportimeve, njëri prej të arrestuarve është D.C., 46 vjeç, nga Shillova e Gjilanit, ndërsa në Jagodinë është arrestuar N.P., 50 vjeç, me origjinë nga ky qytet.
Dy personat dyshohen se u kanë përcjellë informacione strukturave të inteligjencës së Shqipërisë, përfshirë Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH), si dhe Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës dhe Njësisë së Inteligjencës së Policisë së Kosovës.
Sipas mediave serbe, informacionet e transmetuara kishin të bënin me pjesëtarë aktivë të BIA-s, si dhe me aktivitetin dhe angazhimin e tyre.
Deri në këto momente, bëhet fjalë për dyshime të autoriteteve serbe dhe nuk ka një vendim gjyqësor përfundimtar ndaj dy personave të arrestuar./Versus.al

