Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e 44 deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kundërshtonin zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe kërkonin shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të 11 dhjetorit 2025.
Në vendimin e saj, Gjykata vlerëson se një pjesë e pretendimeve të ngritura nga deputetët demokratë, përfshirë çështjen e nënshkrimeve të 28 deputetëve, rregullin që një deputet mund të mbështesë vetëm një kandidat, interpretimin e nenit 72 të Rregullores së Kuvendit dhe pretendimin për një marrëveshje politike mes shumicës dhe pakicës, nuk ngrenë çështje të nivelit kushtetues.
Vendimi ka sjellë reagimin e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i cili e ka kundërshtuar interpretimin e Gjykatës, duke pretenduar se tërheqja e firmave kishte ndodhur përpara përfundimit të fazës së verifikimit.
“Raporti i Komisionit mban datën 9 dhjetor 2025. Tërheqja e firmave, ndërkaq, është bërë më 5 dhjetor 2025, pra përpara kësaj faze”, shkruan Bardhi.
Sipas tij, në momentin kur deputetët kanë tërhequr firmat, procedura e verifikimit dhe kalimit të kandidaturës për votim në seancë plenare nuk kishte përfunduar ende.
“Manipuluat provat për të justifikuar një vendimmarrje politike dhe tani vazhdoni të manipuloni edhe rrethanat e çështjes”, deklaron Bardhi, duke shtuar se “datat janë aty dhe dokumentet flasin vetë”.
Në reagimin e tij, kreu i grupit parlamentar demokrat e ka lidhur këtë çështje edhe me rolin e Gjykatës Kushtetuese, duke argumentuar se momenti juridik duhet të përcaktohet nga ligji dhe jo nga interpretimi i palëve.
Në fund, Bardhi e ka cilësuar vendimin si një “manipulim të provave dhe fakteve”, duke akuzuar Gjykatën se ka deformuar rrethanat e çështjes.













