
Në ditën e 122-të protestës, qytetarët kanë dalë sërish para Kryeministrisë, duke përsëritur kërkesat e tyre të cilat mbeten të pandryshuara.
Nga podiumi i vendosur para Kryeministrisë, Lleshi renditi si kërkesë të parë dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë. Më pas, ajo kërkoi krijimin e një qeverie teknike, tranzitore dhe jopartiake, me mandat 12-mujor.
Një tjetër pikë e kërkesave lidhet me ndryshimet kushtetuese, përmes të cilave protestuesit kërkojnë që të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit. Në këtë kuadër kërkohet edhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme.
Lleshi renditi gjithashtu si kërkesë kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Në listën e kërkesave janë përfshirë edhe anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe në ligjin për trashëgiminë kulturore, si dhe shfuqizimi i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve” dhe i statusit e kuadrit ligjor për investimet strategjike.
Kërkesa e pestë lidhet me hartimin e një “kontrate të re sociale” mes qytetarëve dhe shtetit. Sipas aktivistes, kjo kontratë do të hartohet pas konsultimit me intelektualë, të rinj dhe qytetarë apolitikë të propozuar nga sheshi i protestës.
Lleshi deklaroi se protestuesit vijojnë të qëndrojnë të bashkuar rreth këtyre kërkesave, të cilat organizatorët i konsiderojnë të panegociueshme./Versus.al

