Bojkoti i avokatëve, Skënderaj: Vendimmarrje e detyruar, nuk po dëgjohemi nga gjykata

Konflikti mes avokatëve dhe Gjykatës së Posaçme vijon. Madje avokatët e kanë radikalizuar qëndrimin e tyre, sepse prej një jave ata nuk marrin pjesë në asnjë lloj procesi, as në proceset për masat e sigurisë.
Shkak, është rregullorja që ka shpallur tashmë Gjykata e Posaçme, sipas së cilës nuk lejohet përdorimi i celularëve në sallën e gjyqit gjatë proceseve, gjë që kundërshtohet fort nga avokatët.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Aleksandër Furxhi, kryetar i Dhomës së Avokatëve Klodian Skënderaj tha se vendimi për bojkot ka ardhur pas mungesës së konsultimit me komunitetin e avokatëve për rregulloren.
Ai theksoi se kundërshtimi i saj në rrugë gjyqësore mbetet një mundësi.
Sipas Skënderajt, gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur reagim apo kontakt nga gjykata dhe as nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pavarësisht thirrjeve të avokatëve.
Ai theksoi se qëllimi i Dhomës së Avokatisë është krijimi i një ure komunikimi me gjykatën dhe normalizimi i situatës.
INTERVISTA E PLOTË:
Gjykata ju kundërshton, por gjykata thotë se rregullorja është konform ligjit. Ajo është miratuar sipas ligjit dhe rregullores, dhe çdo atakim i kësaj rregulloreje duhet bërë jo përmes bojkotit, por përmes rrugës gjyqësore përsëri. Përse ju keni zgjedhur bojkotin?
Klodian Skënderaj: Më lejoni të sqaroj për opinionin publik që kjo vendimmarrje që ne kemi marrë nga organet drejtuese të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë ka qenë një vendimmarrje e detyruar. Së pari, rregullorja nuk është konsultuar me ne. Ne jemi gjendur përballë faktit që në fillim të shtatorit kjo rregullore hyri në fuqi. Pra nuk kemi pasur asnjë lloj konsultimi. Duhet të kujtojmë faktin këtu që ne jemi palë. Pra avokatia është palë në procesin penal ashtu si dhe prokuroria. Siç e thashë, ka qenë një vendimmarrje e detyruar sepse bie ndesh me ushtrimin e profesionit të avokatit.
Po përse bojkot dhe jo ankimim në gjykatë?
Klodian Skënderaj: Kundërshtimi në gjykatë do të bëhet pasi të jemi konsultuar me organet drejtuese. Do të bëhet edhe një atakim i mundshëm, një kundërshtim në gjykatë, por bojkoti ishte përgjigja ose reagimi që ne bëjmë pikërisht për shkak të situatës së krijuar. E ritheksoj, kemi problematika me dispozita të veçanta të kësaj rregulloreje, të cilat bien ndesh me ushtrimin e profesionit të avokatit.
Por bojkoti është delikat në kuptimin që nëse për procese normale që nuk kanë urgjencë bojkoti i avokatëve edhe mund të tolerohet, kur vjen fjala për krimet e rënda, për kriminelë, për dhunues e të tjerë, për masat e sigurisë së tyre është problem, apo jo? Sigurisht që ata nuk dalin nga burgu, por edhe mbajtja e tyre pa vendim gjykate, pa proces është problem.
Klodian Skënderaj: Ne fillimisht proceduam me bojkotin e seancave të themelit dhe të seancave paraprake. Pra, vendimmarrja e parë që mori Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë kishte për objekt bojkotimin e seancave të themelit dhe seancave paraprake. Më pas, ne u rimblodhëm përsëri dhe analizuam faktin se çfarë ka ndodhur përgjatë kësaj periudhe. Nuk kemi marrë asnjë lloj reagimi në kuptimin e ndonjë kontakti, qoftë me gjykatën, qoftë edhe me organet e tjera siç është për shembull Këshilli i Lartë Gjyqësor. Pra të gjitha thirrjet tona kanë rënë në vesh të shurdhët për sa i përket gjithë problematikës që shqetëson komunitetin e avokatëve. E kuptojmë që masat e sigurimit janë emergjente, por kjo ishte një vendimmarrje e detyruar për shkak se ne nuk po dëgjohemi. Pra duhet të kuptojmë faktin që avokati është garantues i të drejtave dhe interesave të ligjshme të qytetarit.
Nga një kërkim që kemi bërë rezulton që bojkot avokatësh ka shpesh në vende të tilla si India, Nigeria, Pakistani, madje për koinçidencë edhe në Pakistan në këtë moment po bojkotojnë avokatët, kolegët tuaj. Është një lloj problemi. Deri ku mund të shkojë një organizatë si juaja, Dhoma e Avokatisë, me bojkotin? Deri ku kërkoni të arrini?
Klodian Skënderaj: Ne kërkojmë të arrijmë që gjykata të na dëgjojë, të gjendet një urë komunikimi dhe të normalizohet situata. Deri në këto momente ne nuk kemi absolutisht asnjë lloj dialogu me gjykatën apo qoftë edhe me organin e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Pra qëndrimi ynë është i qartë: kemi ndërmarrë bojkotimin e seancave gjyqësore duke sensibilizuar të gjithë opinionin publik. Sepse, siç e thashë pak më parë, ky është vetëm një ndër elementët te rregullorja e gjykatës, por po ta vëmë re përgjatë viteve avokati po degradohet si figurë. Avokati nuk është aty ku duhet të jetë për sa i përket garantimit të të drejtave të tij, ashtu si palët e tjera në procesin penal.
/vizionplus.tv




