Albian Hajdari nuk do të jetë pjesë e Kosovës në ndeshjet e ardhshme, pasi nuk arriti të rikuperohej në kohë nga lëndimi i pësuar gjatë grumbullimit të Kombëtares.
Mbrojtësi i Hoffenheimit ishte i gatshëm për përzgjedhësin Franco Foda vetëm në përballjen e parë kundër Irlandës, ku Dardanët triumfuan 1-0. Hajdari luajti në atë takim, por më pas u dëmtua dhe nuk mundi të paraqitej në sfidën pasuese ndaj Austrisë, të cilën Kosova e humbi 3-1.
Të lidhura
None found
Edhe pse gjatë ditëve të fundit ai, së bashku me stafin mjekësor, punoi për të qenë i gatshëm për dy ndeshjet e radhës ndaj Izraelit dhe Austrisë, rikuperimi nuk përfundoi me kohë. Për këtë arsye, futbollisti është larguar nga grumbullimi dhe është kthyer në Gjermani për të vijuar trajtimin.
Pas largimit, Hajdari reagoi me një mesazh të ndjerë, ku shprehu keqardhjen që nuk do të mund ta ndihmojë Kosovën në fushën e lojës.
“Sot më dhemb jo vetëm lëndimi, por edhe mendimi se nuk do të jem në fushë me Kosovën në ndeshjet e ardhshme. Për fat të keq, duhet të kthehem në Gjermani për t’u rikuperuar. Lëndimi fizik është një dhimbje më vete, por të mungosh kur e di se ekipi po lufton për Kosovën… kjo dhemb edhe më shumë”, ka shkruar Hajdari.
Ai ka nënvizuar se dëshira e tij ishte të qëndronte pranë skuadrës, duke theksuar lidhjen e veçantë që ka me fanellën e Kosovës.
“Do të doja të isha aty, bashkë me ju, duke luftuar për çdo top, për çdo minutë dhe për këtë fanellë që për mua do të thotë gjithçka. Megjithatë, jam dhe do të jem gjithmonë krenar për këtë ekip dhe për gjithçka që kemi arritur deri tani. Kemi treguar karakter, kemi luftuar së bashku dhe kemi bërë që Kosova të jetë aty ku meriton të jetë”, ka shtuar ai.
Në përmbyllje, mbrojtësi kosovar u ka përcjellë përkrahjen e tij bashkëlojtarëve dhe tifozëve, duke bërë të ditur se do ta ndjekë ekipin edhe nga larg.
“Unë do të jem me ju nga larg. Kosova mbi të gjitha. Shihemi së shpejti”, ka përfunduar Hajdari.
