Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u ka bërë thirrje forcave politike shqiptare në Luginën e Preshevës që të bashkohen në një listë të përbashkët në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi.
Përmes një postimi, Meta e cilëson procesin zgjedhor si një mundësi për forcimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve dhe për një zë më të fuqishëm në Kuvendin e Serbisë.
Meta argumenton se dallimet politike duhet t’i lënë vend interesit të përbashkët dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Serbi.
Sipas tij, bashkimi në një listë do të mundësonte që vota e shqiptarëve të përdorej në funksion të një përfaqësimi më domethënës dhe të mbrojtjes së të drejtave të tyre.
Postimi i plotë:
Zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi janë një mundësi për fuqizimin e të gjithë faktorit politik shqiptar përmes bashkimit, për ta bërë çdo votë, të dobishme në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe Serbi.
Dallimet politike duhet t’i lënë vend interesit të përbashkët kombëtar dhe domosdoshmërisë për një përfaqësim shumë më domethënës dhe zë më të fuqishëm në Kuvendin e Serbisë.
Kjo është e vetmja rrugë për t'u dhënë shqiptarëve përfaqësimin e duhur dhe që të drejtat e tyre të mbrohen dhe respektohen!

© SYRI.net