Izraeli vret komandantin e Hamasit, 6 të vrarë nga sulmet ajrore në Gaza

29 Shtator 2026, 22:40Bota TEMA
Izraeli vret komandantin e Hamasit, 6 të vrarë nga sulmet ajrore

Gjashtë persona, përfshirë një komandant të Hamasit, janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës të dielën, sipas shërbimit të Mbrojtjes Civile të enklavës palestineze.

I njëjti burim raportoi se dy persona u vranë në një sulm izraelit në perëndim të qytetit të Gazës. Hamasi më vonë tha se njëri prej tyre ishte Ezzedine al-Beik, anëtar i këshillit të përgjithshëm ushtarak të Brigadave Al-Qassam, krahu i armatosur i lëvizjes, dhe komandant në pjesën veriore të Rripit të Gazës. Informacioni u konfirmua edhe nga ushtria izraelite.

Brigadat Al-Qassam deklaruan se Beik ishte ndër komandantët në qendrën e operacioneve gjatë sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, i cili shkaktoi luftën në Gaza.

Shërbimi i Mbrojtjes Civile në Gaza raportoi gjithashtu tre të vrarë dhe disa të plagosur nga sulmet me dronë izraelitë në Jabalia, në veri të enklavës. Një person tjetër u vra nga zjarri izraelit në Deir al-Bala, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e kontrolluar nga Hamasi, më shumë se 1 400 palestinezë janë vrarë në operacionet ushtarake izraelite që nga 10 tetori 2025, kur hyri në fuqi një armëpushim i brishtë në enklavën palestineze.

Gjatë së njëjtës periudhë, forcat e armatosura izraelite kanë raportuar gjashtë viktima në Gaza: pesë ushtarë dhe një kontraktor të Ministrisë së Mbrojtjes.

Lini një Përgjigje