Britani e Madhe - Një sasi benzine, por jo pajisje shpërthyese, është gjetur gjatë kontrolleve të tre furgonëve pranë bazës ajrore RAF Fairford, në perëndim të Anglisë, njoftoi Policia Kundër Terrorizmit.
Pesë të rinj, të gjithë britanikë në të 20-at, u arrestuan fillimisht nën dyshimin për vepra penale që lidhen me eksplozivët dhe më pas për vepra penale terroriste.
Automjetet u pikasën në orët e para të së dielës, duke shkaktuar një incident të madh sigurie pranë bazës, e cila operohet nga ushtria amerikane. Megjithatë, pesë të arrestuarit u liruan me kusht të hënën. Policia e përshkroi këtë si një “vendim hetimor”, të marrë mbi bazën e përvojës dhe strategjisë së hetimit.
Ngjarja vjen pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se ishte e qartë se në incident ishte përfshirë një “aktor i huaj”.
Laurence Taylor, kreu i Policisë Kundër Terrorizmit, tha se reagimi i autoriteteve të dielën në mëngjes ishte nxitur nga “një sërë informacionesh”, përfshirë një telefonatë nga një qytetar për “disa automjete që vepronin në mënyrë të dyshimtë” pranë bazës. Taylor shtoi se policia shpreson të përfundojë “skenat hetimore” deri të mërkurën, ndërsa hetimet për rrethanat e ngjarjes vijojnë, shkruan BBC.
Baza ajrore e Fairford i përket Forcave Ajrore Mbretërore të Britanisë, por përdoret edhe nga ushtria amerikane. Qeveria britanike ka autorizuar Shtetet e Bashkuara ta përdorin bazën për sulme ndaj pozicioneve iraniane të raketave që po godasin anijet në Ngushticën e Hormuzit









Komente
Komento