Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji thotë se deklarata e delegacionit të Bashkimit Europian për mbështetjen e SPAK në luftën kundër krimit duhet lexuar edhe në dritën e zhvillimeve të fundit, me arrestin ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
I ftuar në emisionin “Repolitix” me gazetarin Denis Minga në Report TV, Salianji tha se përplasjet brenda mazhorancës nuk prekin kryeministrin Edi Rama.
“Deklarata zyrtare e ambasadës së BE-së në Shqipëri ishte ‘mbështesim SPAK në luftën kundër krimit’. Brenda PS ka edhe influenca me njëri-tjetrin. Kokën të hanë këta me njëri-tjetrin, nuk preket Rama”, tha Salianji.
Ish-deputeti demokrat tha se e njeh Hysenin nga koha kur ishte anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe nga Komisioni Hetimor për sistemin TIMS. Sipas tij, BE-ja ka folur me gjuhë diplomatike për rastin e ish-drejtoreshës së SHISH.
“BE ka folur me gjuhë diplomatike për Vlora Hysenin. E njoh këtë se kam qenë në Komision Sigurie gjatë. Këtë zonjën të parën e kam pasur në Komisionin e Sigurisë. E kam pasur edhe në Komisionin për TIMS-in”, tha Salianji.
Salianji kritikoi standardet profesionale në drejtimin e SHISH nga Hyseni.
“Helidon Bendon përshembull nuk e njoh fare, por ka pasur tjetër qëndrim institucional, tjetër raport me partnerët. Drejtuese të tillë shërbimi unë nuk kam parë”, tha Salianji.
Sipas Salianjit, drejtues të mëparshëm të SHISH janë akuzuar për ndikim politik apo përgjime, por jo për nxjerrjen e informacioneve sekrete në favor të grupeve kriminale, siç pretendohet në rastin e Hysenit.
“Cilido prej shefave të shërbimit të mëparshëm janë akuzuar ndikim politik apo përgjime, por që të dalë drejtuesja e shërbimit duke u dhënë informacione sekrete për t’i bërë shantazh grupet kriminale njëri-tjetrit, që ta përdorin departamentin e Krimit të Organizuar për të dhënë informacione grupeve kriminale, kjo nuk ka ndodhur”, tha Salianji.
Në fund, ish-deputeti demokrat e krahasoi rastin me një skenar filmi.
“Po më gjetët një skenar filmi, edhe skenaristi i fundit i filmave nuk guxon ta bëjë atë gjë”, përfundoi Salianji.
Ish-deputeti Ervin Salianji ka zbuluar detaje nga marrja në pyetje e ish-kryetares së SHISH, Vlora Hysenit, në Komisionin e Sigurisë në vitin 2023.
Salianji tha se e pyeti Hysenin nëse kishte shkuar në Beograd pas marrjes së detyrës dhe nëse kishte njohje me Ergys Agasin. Sipas Salianjit, në rastin e parë Hyseni nuk i ishte përgjigjur, ndërsa njohjen me Agasin e kishte mohuar kategorikisht.
"Kush nuk e di që kjo zonja ka qenë emërimi i Gysit me kompani. Ma thoni pak ju çfarë pushteti kishte Agasi që kjo zonja i çonte dokumenta sekrete. E kam pyetur në Komision 'ke qenë ti zonjë ne Beograd?'. Fare nuk u përgjigj, e mbyllëm Komisionin. Edhe për Agasin e kam pyetur drejtpërdrejtë, 'nuk kam njohje' më tha", rrëfeu Salianji në emisionin 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga në Report Tv.
Gazetarja Danjela Maloku ka komentuar hetimet e SPAK për drejtoreshën e shkarkuar të SHISH, Vlora Hyseni, e cila ndodhet nën 'arrest shtëpie'.
E ftuar në emisionin 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Maloku tha se Shqipëria është ekspozuar ndaj një niveli të lartë rreziku të rrjedhjes së sekreteve shtetërore te krimi i organizuar.
Reagimi i BE-së për Vlora Hysenin, për gazetaren Maloku nuk ishte një reagim i fortë, si në rastin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
" Mua s'mu duk një reagim i fortë i BE-së për çështjen e SHISH. Është një reagim standard. Për ndjeshmërinë që ka çështja, nuk do të fliste me gjujë diplomatike, por do të fliste si për rastin e Ballukut. Jemi përballë një fakti, ka ndodhur një skandal në SHISH. Kemi rritur standardet mbase në lënien e drejtësisë që të bëjë punën e vet, por nga ana tjetër kemi ekspozuar një nivel të lartë rreziku të rrjedhjes së sekreteve shtetërore te krimi i organizuar", tha mes të tjerash gazetarja Maloku.
Maloku foli gjithashtu edhe për planin për integrimin e Shqipërisë në BE pa të drejtë vetoje, gjë të cilën e cilësoi një zhvillim pozitiv.
Ajo dha gjithashtu detaje për vizitën e Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Layen në Shqipëri dhe për takimet që zyrtarja e lartë e BE-së pritet të zhvillojë.
"Qëndrimi i PD është që të jetë një proces i bazuar në meritë dhe jo të plotësohet thjesht kriteri i gjeopolitikës. Që për shkak të zhvillimeve që ndodhin edhe në Europë, Shqipëria të përfitojë. Por nëse ndodh kjo, do të jetë një gjë shumë e mirë për vendin tonë, por edhe për atë objektivin që është vendosur për vendin tonë në 2030. Por nesër do të duhet të shihen edhe mesazhet që do të japë në vendin tonë, kur të bëjë edhe konferencën me Ramën. Von der Layen do të ketë takime me Presidentin.
Mesa kam parë axhendën e saj ka takime në të gjithë Ballkanin Perëndimor me krerët e shteteve. Takime me opozitën nuk di të ketë. Vizita e von der Layen në 17:30 është në Kryeministri. Besoj se do të jetë ezauruar edhe vizita e konferenca para se të mblidhen protestuesit. Por unë besoj se BE ka dëgjuar për protestat dhe nuk do të jetë ndonjë çudi e madhe për von der Leyen nëse do të shohë grumbuj protestuesish", shtoi gazetarja Maloku.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, është shprehur se nuk e shikon si zhvillim pozitiv anëtarësimin e Shqipërisë në BE pa të drejtë vetoje.
Komentet Muçi i bëri në emisionin 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se nuk i intereson shqiptarëve që BE të anëtarësojë një vend të korruptuar si Shqipëria për interesa të vetë Unionit, në kategorinë e dytë të tij.
"Në radhë të parë vetë vendet e BE-së dhe vetë BE ndodhen në një krizë të thellë. Krizë që lidhet që me vendet e caktuara, Gjermania me krizën e industrisë së automjeteve. Me tarifat me marrëdhënien që kanë me Amerikën, me faktin që janë pas në aspektin teknologjik. Ndërkohë ekstremi i djathtë po vjen në pushtet në vende si Gjermania e Franca dhe po merr Parlamentin Europian. Në kuadër të këtyre surprizave të shumta, BE po përpiqet të paraqesë imazhin e zgjerimit e fuqizimit përmes pranimit të vendeve si Shqipëria dhe Mali i Zi.
Fakti që BE nuk ka mbajtur realisht një qëndrim kritik ndaj qeverisë së Edi Ramës, në lidhje me ligje shkatërrimtare si ai i investitorëve strategjikë, ai i zonave të mbrojtura dhe paketës së maleve, duket sikur duke e ndarë në 2 kategori, pra vende të kategorisë së parë që përbëjnë ato yjet e BE-së dhe vendet e kategorisë së dytë. Unë s'do doja të isha vend i kategorisë së dytë, aq më tepër në një BE të mbizotëruar nga ekstremi i djathtë. Edi Rama është antivlera e asaj që supozohet të jetë BE. Nëse BE për interesat e veta gjeopolitike detyrohet të fusë edhe një vend të korruptuar në kategorinë e dytë të saj, nuk e di kujt i shërben kjo. Nuk e shoh si do përfitojë Shqipëria", tha mes të tjerash Muçi.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, e cilësoi pozitiv planin për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian pa të drejtë vetoje.
Komentet Salianji i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin 'Repolitix' me gazetarin Denis Minga në Report Tv, ku tha se ky plan s'ka të bëjë fare me qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.
"Integrimi është i bazuar mbi meritën. Pra sundimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit, e kështu me radhë. Prandaj para se të bëhet anëtarësimi në BE, kalohet në shumë procese që të tregohet që funksionon parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Nga ana tjetër ky plan s'ka të bëjë fare me qeverinë. Për Shqipërinë nëse ndodh, është diçka pozitive", tha mes të tjerash Salianji.
Salianji theksoi se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës e 'zgjoi' nga gjumi Bashkimin Europian, për të mbajtur nën influencë vende si Shqipëria, Moldavia apo Serbia.
"Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës e zgjoi nga gjumi BE-në për të mbajtur nën influencë vende si Shqipëria, Moldavia apo Serbia", shtoi Salianji.
Në përfundim Salianji tha se gabimi i PD-së dhe Sali Berishës është se sulmon gjithçka që bën kundërshtari politik, marrë shkas edhe nga mos-pranimi nga PD i planit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE pa të drejtë vetoje.
Duke thënë se Berisha është një uzurpator që ka marrë peng PD-së, Salianji shtoi se për shkak të këtyre qëndrimeve të kryedemokratit, zyrtarët e lartë të BE-së nuk i takojnë më përfaqësuesit e PD-së.
"Këtu nuk ka ndonjë rol as qeveria dhe as opozita. Mos të kalojmë në delir. Nëse ka bërë një gabim PD në të kaluarën, por edhe tani, është që gjithçka që bën kundërshtari është e gabuar. Nuk është e Ramës kjo, është e BE. Së dyti, për shkak të këtyre qëndrimeve, por edhe edhe për shkak të lidershipit të imponuar që ka sot si uzurpator Sali Berisha, ju e dini që kjo zonja që është e Partive Popullore nuk i takon më përfaqësuesit e PD", tha mes të tjerash Salianji.







Komente
Komento