Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me një grup prindërish lidhur me krijimin e Këshillit Kombëtar për Fëmijët me Aftësi Ndryshe dhe forcimin e sistemit të mësuesve ndihmës.
Në takim ishin të pranishme edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Reme Lala.
Gjatë diskutimit, prindërit ngritën problematika që lidhen me mbështetjen e fëmijëve me aftësi ndryshe në sistemin arsimor, duke vënë theksin te nevoja për kënde sensoriale dhe dhoma burimore në shkolla.
Një prej prindërve tha se familjet duan të jenë pjesë e përmirësimit të sistemit dhe të kontribuojnë për krijimin e kushteve më të përshtatshme për fëmijët.
“Janë fëmijët tanë që ne i kemi krijuar dhe po mundohemi çdo ditë që t’i rrisim me aftësitë e tyre më të mira, dhe me kushtet më të mira që ne mundemi. Sistemi na e ka bërë pak më të vështirë dhe duam të kontribuojmë realisht sesi ta rregullojmë këtë pjesë. E dyta, që kemi si problematikë, është këndi sensorial ose dhomat burimore”, u shpreh ai.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, foli për rritjen e numrit të mësuesve ndihmës dhe masat për krijimin e hapësirave të dedikuara në shkolla.
“Krahas mësuesve ndihmës të cilët nga viti në vit, rritet numri i mësuesve ndihmës. Ka qenë për 4 fëmijë 1 mësues ndihmës, sot jemi për çdo fëmijë, 1 mësues ndihmës, dhe gjithashtu jemi në planin që i rrisim orët, sidomos rast pas rasti”, deklaroi Kumbaro.
Ajo tha se në shkolla po krijohen edhe klasa të dedikuara për rastet kur fëmijët kanë nevojë për një hapësirë të përshtatshme për komunikim dhe qetësim.
“Në shkolla po krijohen klasa të dedikuara, që kur këta fëmijë kanë një moment vështirësie të komunikimit, të axhitimit, bashkë me mësuesin ndihmës kanë një klasë, një dhomë të dedikuar interaktive, ku ata të mund të ndihen më mirë”, tha Kumbaro.
Një tjetër prind vuri në dukje nevojën për trajnimin e mësuesve, duke theksuar se një pjesë e tyre mbështeten te përvoja personale për t’iu përshtatur nevojave të fëmijëve me aftësi ndryshe.
“91% e mësuesve përdorin përvojat personale dhe vetefikasitetin personal, për t’iu përshtatur këtyre fëmijëve, domethënë kemi potencial shumë të mirë. Pavarësisht se nuk janë të gjithë të trajnuar”, u shpreh prindi.
Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Rama theksoi nevojën për krijimin e një sistemi të posaçëm trajnimi, si dhe për mbështetje financiare shtesë për mësuesit ndihmës.
“Duhet ndërtuar një sistem trajnimi, dhe e dyta, duhet parë mundësia që këtyre mësuesve t’u jepet një ekstrambështetje financiare, pra ata duhet ta kenë një bonus mbi pagën patjetër”, deklaroi Rama.
Kryeministri foli gjithashtu për krijimin e një këshilli konsultativ që do të zhvillojë takime të rregullta dhe do të shërbejë për referimin në kohë të problematikave.
“Të organizojmë një si këshill që të jetë një këshill konsultativ, që e para, të mblidhet me frekuenca të rregullta, një herë në kaq kohë; e dyta, të ketë një mikrosekretariat, dikë që mund të referojë probleme në kohë reale, sepse nga një takim në një takim tjetër pas tre muajsh ndodh diçka që duhet referuar”, deklaroi Rama.


