Maran: Po ndryshojmë filozofinë, e kishim mendjen edhe te Finlanda

Maran: Po ndryshojmë filozofinë, e kishim mendjen edhe te Finlanda

23:20, 29/09/2026

Trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, u shfaq i kënaqur me paraqitjen e kuqezinjve në fitoren 3-0 ndaj San Marinos, por pranoi se skuadra e uli ritmin në pjesën e dytë duke menduar për sfidën e radhës ndaj Finlandës.

Maran vlerësoi pjesën e parë, ku Shqipëria ishte më agresive dhe krijoi disa mundësi shënimi, ndërsa në fraksionin e dytë preferoi të menaxhonte energjitë e lojtarëve. Sipas tij, kartonët dhe gjendja fizike e disa futbollistëve ndikuan në këtë zgjedhje.

“E pëlqeva pjesën e parë, ku ishim më të rrëmbyeshëm. Në të dytën menaxhuam më shumë, edhe pse nuk është në natyrën e kësaj skuadre. Kishim lojtarë me karton dhe të tjerë që vinin nga dëmtimet. Shënuam tre gola, por mund të kishim bërë më shumë”, tha Maran.

Trajneri theksoi se ndeshje të tilla shërbejnë edhe për të provuar lojtarë të rinj dhe role të ndryshme. Ai pranoi se Shqipëria nuk është një ekip i madh, por mund të jetë konkurruese nëse luan me ritëm, organizim dhe gabon sa më pak.

“Filozofia ka ndryshuar. Jemi një ekip që përpiqet të ndërtojë lojën dhe në fushë shihet se lojtarët po kuptojnë idetë. Kemi bërë disa aksione të ngjashme, që tregon se të gjithë e kanë kuptuar çfarë duhet të bëjnë”, u shpreh italiani.

Maran foli edhe për vendimin për të mbajtur Rey Manajn në fushë. Ai tregoi se kishte menduar ta zëvendësonte më herët, por sulmuesi i kërkoi të qëndronte për të provuar të shënonte.

“Kur erdhi goditja e këndit, më bëri shenjë. Thashë t’ia japim këtë mundësi dhe ai shënoi”, tregoi Maran.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco