Estoni: Pas sulmit në Talin është Rusia

Estoni: Pas sulmit në Talin është Rusia

22:11, 29/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Udhëheqësit e NATO-s dhe të BE-së shprehën mbështetjen e tyre për Estoninë, pasi ajo akuzoi Rusinë si përgjegjëse për një sulm me zjarrvënie në kryeqytetin e vendit, Talin.

Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, deklaroi se hetimi i qeverisë për incidentin  arriti në përfundimin se Moska është përgjegjëse për sulmin me zjarrvënie të 15 gushtit ndaj kompanisë së mbrojtjes Milrem Robotics. Milrem Robotics zhvillon automjete të telekomaduar që përdoren në Ukrainë.

"Mund të themi me siguri se sulmi me zjarrvënie ... ishte një akt sabotimi i urdhëruar nga shërbimet sekrete të Federatës Ruse”, shkroi Tsahkna në platformën X, duke shtuar se autorët janë arrestuar dhe se ambasadori rus është thirrur për sqarime.

"Ky akt sabotimi është pjesë e fushatës më të gjerë të Rusisë në mbarë Evropën, që synon të na frikësojë dhe të dobësojë mbështetjen tonë për Ukrainën”, tha Tsahkna.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, e mbështeti Estoninë, duke akuzuar Rusinë se po vazhdon "fushatën e saj të pamatur të veprimeve armiqësore kundër aleatëve të NATO-s”.

"Rusia po përpiqet të dobësojë vendosmërinë tonë dhe të ndalojë mbështetjen tonë për Ukrainën”, tha Rutte, duke shtuar se Rusia "po dështon në fushëbetejën në Ukrainë dhe po dështon gjithashtu që të minojë unitetin dhe mbështetjen tonë për Ukrainën.”

Kremlini thotë se lidhjet me zjarrvënien nuk kanë bazë

Estonia ka një popullsi prej 1.2 milionë banorësh dhe kufizohet me Rusinë në lindje. Incidenti ndodhi natën e 15 gushtit, kur në një ndërtesë të përdorur nga kompania Milrem Robotics në Talin shpërtheu një zjarr. Sipas një deklarate të qeverisë estoneze autoritetet mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe nuk pati të lënduar.

Më vonë në Letoni u arrestuan tre të dyshuar në lidhje me sulmin me zjarrvënie dhe këtë muaj iu dorëzuan autoriteteve estoneze.

Kremlini iu përgjigj gjetjeve të hetimit për zjarrvënien duke i cilësuar akuzat si "të pabaza” dhe pa "absolutisht asnjë lidhje me realitetin”.

"Ne nuk mund dhe nuk do t'i marrim seriozisht deklarata të tilla”, u tha gazetarëve në Moskë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov./ DW/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco