Sulmet ajrore të pandërprera ruse po rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi financat e Ukrainës. Ndërsa kostot e luftës dhe deficiti financiar rriten, Kievi po u lutet aleatëve evropianë të shfrytëzojnë asetet e palëvizura ruse.
Ukraina i ka kërkuar Bashkimit Evropian të përdorë asetet e bllokuara ruse për të ndihmuar në mbulimin e deficitit financiar dhe ushtarak të vendit për vitin e ardhshëm, i cili mund të arrijë në një shifër marramendëse prej 78 miliardë dollarësh (68.77 miliardë euro) nëse aleatët nuk arrijnë të rrisin kontributet e tyre.
Ministri ukrainas i Financave, Sergii Marchenko, e bëri këtë kërkesë gjatë një takimi në Bruksel me përfaqësues të donatorëve ndërkombëtarë dhe institucioneve financiare.
Gjatë takimit, Marchenko argumentoi se përdorimi i aseteve ruse do të ishte një zgjidhje praktike dhe e drejtë për të përballuar kostot e jashtëzakonshme të kohës së luftës të Ukrainës, për të mbrojtur qëndrueshmërinë e borxhit të saj dhe për të siguruar llogaridhënien për agresionin e Moskës, sipas zyrtarëve me njohuri për diskutimet private.
BE-ja mban rreth 210 miliardë euro në asete ruse të ngrira, pjesa më e madhe e të cilave ndodhet në Euroclear, depozitari ndërkombëtar me bazë në Bruksel. Ai pranoi se tema ishte politikisht e vështirë dhe e inkurajoi bllokun të merrte në konsideratë një kuadër të centralizuar dhe të shëndoshë ligjërish.
Një mesazh të ngjashëm ai përcolli edhe një ditë më parë, gjatë një paneli të organizuar nga Qendra për Politikat Evropiane (EPC), ku u diskutua ideja e transferimit të aseteve nga Euroclear te një kujdestar në pronësi të BE-së, me synimin për të ulur rreziqet që lidhen me Belgjikën.
"Ne kemi nevojë që miqtë tanë, politikanët tanë evropianë, të jenë mjaftueshëm të guximshëm dhe të ndërmarrin veprime të guximshme. Fatkeqësisht, lufta është më e gjatë, lufta është më e vështirë dhe ne duhet të ofrojmë një zgjidhje për asetet e ngrira ruse ose të ofrojmë mjete të tjera për të mbijetuar,” tha ai.
