Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar prerazi se një aktor i huaj është i përfshirë në komplotin e dyshuar me bombë në bazën RAF Fairford në Mbretërinë e Bashkuar, vetëm pak orë pasi pesë të dyshuarit e arrestuar pranë bazës ajrore u liruan me kusht.
“Mjafton të themi se ajo që ndodhi, ajo që për pak sa nuk ndodhi dhe ajo që mund të kishte ndodhur në Mbretërinë e Bashkuar gjatë fundjavës, përbën një situatë shumë serioze. Është një situatë ku duket qartë dora e një aktori të huaj”, ka thënë Rubio, pa paraqitur prova apo dhënë detaje të mëtejshme.
“Kemi të bëjmë me elemente në nivel global, siç është rasti i Iranit, për shembull, të cilët kanë kërcënuar hapur se do të sulmojnë interesat amerikane në mbarë botën. Ne do ta trajtojmë gjithmonë këtë çështje me seriozitet të madh”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, mbeten pikëpyetje mbi lidhjen e Iranit me komplotin e dyshuar me bombë në RAF Fairford.
Pesë burrat, të gjithë shtetas britanikë nga Londra dhe në fillim të të njëzetave, janë ndaluar herët të dielën pasi policia është njoftuar nga një fermer vendas për tre furgonë të bardhë që po drejtoheshin drejt RAF Fairford, një bazë britanike që strehon bombardues amerikanë që kryejnë misione kundër Iranit.
Ata janë arrestuar nën dyshimin për vepra penale që lidhen me eksplozivët dhe përgatitjen e një akti terrorist, ndërsa një lidhje me Iranin përbënte një pistë kryesore hetimi.
Lirimi i tyre me kusht nga policia sugjeron se hetuesit besojnë se nuk ka gjasa që ata të kenë qenë në prag të një sulmi me viktima të shumta përmes shpërthimit të një bombe pranë bazës, kanë thënë burimet.
Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar në korrik se baza ishte një objektiv legjitim. Ambasada e Iranit në Londër ka mohuar çdo përfshirje në ngjarjet pranë RAF Fairford.
Ndërsa falënderoi autoritetet britanike për mënyrën e trajtimit të incidentit, Rubio ka thënë gjithashtu se shumë njerëz ishin "të shqetësuar që disa nga këta persona nën hetim janë liruar me kusht".
Trump pas vendimit të Britanisë: Unë s’do t’i kisha liruar të dyshuarit për komplot me bombë
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të hënën mbrëma se nuk pajtohet me vendimin për lirimin me kusht të pesë burrave të arrestuar në bazë të ligjeve kundër terrorizmit pranë një baze ajrore amerikane në Angli.
Trumpi u ka thënë gazetarëe se ishte “i befasuar” që pesë të rinjtë britanikë, të arrestuar të dielën nën dyshimet për eksplozivë dhe vepra terroriste pranë bazës, janë liruar me kusht.
“Jam i befasuar që i liruan. Unë nuk do ta kisha bërë këtë”, ka thënë Trumpi në Zyrën Ovale. “Ne nuk do t’i kishim liruar”, ka shtuar ai.
Baza RAF Fairford, në pronësi të Mbretërisë së Bashkuar, është përdorur nga bombarduesit amerikanë gjatë dekadave të konflikteve në Lindjen e Mesme, përfshirë luftën e këtij viti me Iranin.
Të dyshuarit e arrestuar mëngjesin e së dielës, janë liruar të hënën, ndërsa hetuesit kundër terrorizmit thanë se po shqyrtonin “linja të shumta hetimi”, përfshirë mundësinë nëse kishte ndonjë lidhje me Iranin.
“Unë e di përgjigjen”, ka thënë Trumpi kur është pyetur nëse kishte një lidhje me Iranin.
“Mund të jem shumë specifik, por preferoj të mos e them”, ka shtuar ai.
Ndërkohë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se beson fuqishëm që një aktor i huaj qëndron pas komplotit.
Hetuesit nuk kanë arritur ende në një përfundim nëse incidenti ishte i mbështetur nga ndonjë shtet.
Ata po shqyrtojnë një lidhje të mundshme me Iranin, Rusinë ose grupe militante që nuk gëzojnë mbështetje shtetërore. Por Irani e ka mohuar lidhjen.
Pesë të dyshuarit, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur, fillimisht u ndaluan për shkelje të dyshuara lidhur me eksplozivët dhe më pas u arrestuan me dyshimin për përgatitjen e një akti terrorist. Policia bëri të ditur se të gjithë burrat janë shtetas britanikë nga Londra dhe janë në të njëzetat e tyre.