Ashtu siç pritej, Shqipëria ka dominuar ndaj San Marinos. Shqipëria e mposhti 3:0 San Marinon, të martën mbrëma në Serravalle.
Ndeshja San Marino – Shqipëria i takon Grupit C1 të Ligës së Kombeve. Me fitore, Shqipëria është bërë lidere e grupit me gjashtë pikë.
Përzgjedhësi i Shqipërisë, Rolando Maran, është i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve.
“Më pëlqeu padyshim pjesa e parë, ku ishim më shumë të rrëmbyeshëm. Në të dytën ishim pak në menaxhim dhe ekipi ynë nuk është i tillë. Por është e vërtetë që kishim lojtarë me karton, ndonjë që vinte nga dëmtimi, ndaj ngadalësuam pak. Bëmë 3 gola, duhet të bënim më shumë se kishim raste. Në të dytën shkuam në menaxhim, me mendje ishim në Finlandë. Por skuadra hyri për të bërë rezultat, ia doli. Po të shohësh ndeshjen me Finlandën, ata deri në pjesën e dytë ishin 3:0. Janë ndeshje ku duhet të provojmë të rinjtë për të qenë të vlefshëm dhe përfitova nga kjo”, ka thënë Maran.
Golin e epërsisë 1:0 për kuqezinjtë e shënoi Anis Mehmeti. Për Mehmetin ishte goli i parë me fanellën e Shqipërisë.
Edhe
Shqipëria bindëse në pjesën e parë ndaj San Marinos
Ai realizoi nga afërsia golin e epërsisë në minutën e 21-të me asistim të Rey Manajt.
Gjashtë minuta më vonë, kuqezinjtë e realizuan edhe golin e dytë. Golin për 2:0 e shënoi Myrto Uzuni.
Asistuesi i golit të parë, Manaj, e shënoi golin e tretë për Shqipërinë. Golin për 3:0, Manaj si kapiten e shënoi në minutën e 65-të.
“Gjëja e bukur është që filozofia ka ndryshuar, është ekip që mundohet të bëjë ndeshjen, të ndërtojë. Unë duhet të bëj këtë nëpërmjet ndeshjeve, se nuk ka kohë, por këta djem po mundohen të bëjnë gjërat dhe në fushë shihet që ka ide. Ne kemi bërë 7 aksione të ngjashme, që do të thotë që të gjithë kanë kuptuar çfarë duhet bërë. Duhet përmirësuar, por ka ndryshuar filozofia dhe e shoh që po e kuptojnë. Ne kemi karakteristikat tona, nuk jemi një ekip i madh, por që nëse bën gjërat mirë, me ritëm, gabon pak, mund të argëtohet e bëjë gjëra mirë, me karakteristikat tona”, është shprehur Maran.
Edhe
Shqipëria kalon në epërsi
Shqipëria e mposhti edhe Bjellorusinë të shtunën e kaluar me shifrat 2:0. Në këtë grumbullim të gjatë, Shqipëria i luan edhe dy ndeshje.
Të dielën luan në udhëtim ndaj Finlandës, kurse tri ditë më vonë luan sërish me San Marinon në Tiranë.